• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Kudo Shqiptarë Të gjitha TIP top

    Video/Balkan Trafik Festival, dasmë shqiptare me iso dhe polifoni para pallatit të mbretit belg


    Mbrëmjet e Brukselit janë të freskuar. Të duhet një triko e lehtë, se pasditja bën ftohtë. Në Park Royal, parkun e madh që ndodhet përballë pallatit mbretëror belg, të ulur para skenës të vogël ku pritej të fillonte Balkan Trafik Festival, të gjithë të pranishmit e kishin veshur një xhup të hollë, një triko a këmishë me mëngë të gjata.

    Por që të gjithë i hoqën sapo në skenë u shfaq Gjini Family dhe ia mori shtruar me këngë popullore shqiptare. Një valle e madhe në mes të skenës i shkundi e i vaposi të gjithë ata që të dinin hapat e pogonishtes e të tjerë, jo shqiptarë, që i hidhnin këmbët si të mundnin, po pa kërcyer s’mund të rrinin.

    Familja Gjini, që jeton në Bruksel e që kanë krijuar një grup shumë të suksesshëm muzikor me iso e polifoni shqiptare i mbajtën dy orë në këmbë e në valle gjithë të ftuarit, që edhe pa ditur fjalët e pa i dëgjuar kurrë më parë “Më jep një pikë ujë o moj balukeprerë”, improvizuan një dasmë të vërtetë. Fundja siç ndodh gjithmonë sa herë që ka muzikë popullore shqiptare e ca njerëz që nuk u rezistojnë dot ritmeve ballkanike. K.S./Tiranapost.al