Art & Kulturë Te gjitha

Victor Hugo shkruante lakuriq, Dan Brown me kokë poshtë. Ja zakonet e çuditshme të shkrimtarëve


Edhe shkrimtarët më të zotë dhe popullorë mund të jenë viktima të sindromës së fletës së bardhë, të përshkruar për herë të parë në vitin 1947 nga psikanalisti Edmund Bergler. Bëhet fjalë për një bllokim të natyrës psikologjike që pengon çdokënd që shkruan që të vazhdojë të shkruajë në vazhdimësinë e një teksti dhe madje mund të mos e përmbyllë kurrë atë që ka nisur.

Por historia e letërsisë është edhe historia e tentativave pak a shumë të arrira për t’i bërë ballë këtij bllokimi, shpesh herë duke bërë gjeste ekstravagante. Ja disa prej tyre.

Me kokë poshtë. Të qëndrosh me kokë poshtë. Kjo është kura që shkrimtari i njohur Dan Brown ka gjetur për të luftuar bllokimet letrare. Sipas autorit të “Kodi i Da Vincit” kjo e ndihmon për t’u relaksuar dhe për t’u përqendruar më shumë te fjalët. Sa më shpesh e bën, aq më i lehtësuar dhe i frymëzuar ndihet. Një tjetër zakon i tij është të mbajë një orë me rërë në tryezën e punës. Çdo një orë e lë shkrimin për të bërë ulje-ngritje dhe ushtrime të tjera gjimnastikore.

Skedat. Vladimir Nabokov, autor i romanit “Lolita”, preferonte t’i kompozonte veprat e tij nëpërmjet skedave që i ruante me fanatizëm në disa kuti. Kjo metodë i lejonte të shkruante pjesë të romaneve të tij, në mënyrë jo sekuenciale, por që më pas i përdorte kur i duhej t’i jepte dorën e fundit librit. Madje thuhet se mbante letra të vogla edhe poshtë jastëkut, në rast se gjatë gjumit i vinte ndonjë ide.

Lakuriq. Çfarë mund të thuash për një klasik si Victor Hugo? Autori i kryeveprës “Të mjerët” ishte i detyruar të shkruante… pa rroba. Kur duhej të dorëzonte shpejt romanin e tij “Katedralja e Parisit” urdhëroi shërbëtorin e tij që t’ia “sekuestronte” të gjitha rrobat në mënyrë që të shkruante krejt nudo. Edhe gjatë ditëve më të ftohta, Hugo hidhte vetëm një batanije krahëve dhe shkruante për Esmeraldën dhe Kuazimodon e katedrales së Parisit./Tiranapost.al

Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]m

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *