Aktualitet

Vetëvrasja nuk ka simptoma

Sot, me rastin e ditës botërore të parandalimit të vetëvrasjes, kur në Shqipëri nuk flitet për shëndetin mendor përveçse nga ata që e njohin vuajtjen e lidhur me të, Shoqata Analiza e Grupit në Shqipëri sjell këtë deklaratë si reflektim mbi rritjen e inicidecës së vetëvrasjes (edhe pse e nën raportuar) që përshkon jetët e njerëzve në mënyra rrëqethëse, duke shuar përgjithmonë vuajtjen për disa, e duke shënuar dhimbjen për të tjerë përreth në përpjekje për të mësuar kuptimin e të qenit, dhe të të jetuarit në një shoqëri që lëviz e transformohet çdo ditë.

Njerëzit kanë frikë nga e tashmja jo për dobësi karakteri, siç do ta paragjykonte shoqëria jonë një individ të ndjeshëm; për shkak të ndjeshmërisë, ato janë në kontakt me dhimbjen e tyre individuale, dhe pikërisht kjo, është një cilësi e njerëzve të fortë. Nga ana tjetër, konteksti historik dhe socio-kultural ku përjashtimi social është e vetmja mënyrë mbijetese, përforcon pabarazinë dhe pakënaqësinë tek njerëzit, një situatë e cila sjell përkeqësimin e gjendjes psikologjike të atyre që ndonjëherë zgjedhin të vetëvriten.

E tashmja është e pasigurt në të gjithë botën, për të gjithë, ndaj vetëvrasja nuk është vetëm fenomen shqiptar. As mungesa e fondeve për trajtimin dhe parandalimin e problemeve të shëndetit mendor nuk është vetëm shqiptare. Kultura e fshehjes së dhimbjes së pashpjegueshme, e heshtjes ndaj vetes që vuan ka tipare shqiptare, por vret njësoj në të gjithë botën. Heshtja është vetëvrasje.

Depresioni njihet gjerësisht si shkaku i pasaktë, por shumë i lakuar i vetëvrasjes, për të justifikuar mungesën e kujdesit dhe vëmendjes ndaj vetes dhe të afërmve. Në këtë këndvështrim, shoqëria shqiptare ka vendosur ta mbajë veten larg dhimbjes, duke vazhduar t'i fshihet traumave të mbartura nga e kaluara, duke krijuar në mënyrë të pavetëdijshme një identitet të rremë por në dukje të sigurt socio- kultural, i cili përcjell dhimbjen e asaj që mungon por që nuk shpjegohet dot pervecse nëpërmjet simptomës së depresionit.

Depresioni është një gjendje, të cilën bota akademike psikiatrike ka vendosur ta njohë si të tillë nëpërmjet dakordësimit të simptomave që maten. Vetëvrasja nuk ka simptoma sepse dhimbja nuk matet; ajo vetëm mund të flitet që të kuptohet.

Shoqata “Analiza e Grupit në Shqipëri” punon që të krijojë hapësira ku ne mund të flasim sëbashku dhe të shprehim të pashpjegueshmen.

*Anxhela Gramo, kryetare e AGSH, (Analiza e Grupit në Shqipëri)