Kosova Te gjitha

Veseli paralajmëron prishjen e koalicionit: S’mund të rri në një qeveri që dëmton raportet me SHBA


Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se nuk do të qëndrojë në qeveri nëse dëmtohen raportet me SHBA. Dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar pas vendimit të Haradinajt për të vendosur taksën 100% ndaj mallrave serbe. Kreu i qeverisë së Kosovës, pavarësisht presionit të SHBA-BE, ka refuzuar të shfuqizojë vendimin.

“Qëndrimi im do të jetë ai që po e them publikisht – cili do të jetë qëndrimi i SHBA-së dhe i partnerëve perëndimorë, do të jetë edhe i imi. Dy ditë nuk rri në një Qeveri, e cila i dëmton këto raporte. Ky raport nuk ka të bëjë vetëm me disa shtete. Ka të bëjë në raport me të ardhmen e këtij shteti, e këtij kombi. Nuk mund ta imagjinoj zhvillimin e Kosovës, perspektiven e Kosovës, Ushtrinë e Kosovës, ta quaj të zhvilluar pa raportin me SHBA-në dhe BE-në”, ka deklaruar Veseli per mediat kosovare.

Lideri i PDK-së, ka thënë se do të veprojë në momentin që sheh se mund të dëmtohen raportet me SHBA-të.

“Kur është interesi i Kosovës, kam me marrë vendim. Pastaj, le të ankohen ata të tjerët cila është vendimmarrja ime. Si dje që kam marrë vendime, edhe sot marr vendim. Edhe pardje, edhe nesër. Vendimi do të jetë çka është interesi i popullit tonë, qytetarëve të vendit tonë, shtetit tonë”, tha Veseli./Tiranapost/A.C