Aktualitet

Vërtetë nuk kemi kohë për t’i bërë të gjitha?

Me siguri keni dëgjuar për historinë e gurëve në kavanoz. Për pjesën më të madhe të njerëzve, sot problemi thelbësor i kohës nuk është vendosja e prioriteteve, por është se gjërat e rëndësishme për t’u bërë janë shumë: të mbash vendin e punës, të paguash qiranë, të jesh prind i mirë, të gjesh kënaqësinë në jetë e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, kemi shumë gurë të mëdhenj që nuk do të hynin kurrë në atë kavanoz.

Nga Oliver Burkeman/ Nëse ndonjëherë jeni fiksuar po aq sa unë mbi problemin e menaxhimit të kohës, me siguri keni hasur historinë e gurëve në kavanoz.

Për aq sa di, i pari që e ka rrëfyer ka qenë Stephen Covey sipas këtij versioni: një mësues u tregon nxënësve të tij një kavanoz reçeli të boshatisur, disa gurë të mëdhenj, disa të vegjël dhe një grusht rëre. Detyra e tyre ishte që t’i fusnin të gjitha këto në kavanoz. Nxënësit pa menduar shumë tentuan të fusnin në fillim rërën e më pas guralecët, por vunë re se gurët e mëdhenj mbeteshin jashtë.

Në atë moment, mësuesi me ndonjë buzëqeshje vetëkënaqësie tregon zgjidhjen: është më mirë të futen fillimisht gurët më të mëdhenj, pastaj gurët e vegjël e në fund rëra, sepse objektet e vogla zënë më kollaj vend në hapësirat e lëna bosh nga ato të mëdhatë. Mesazhi i historisë është se fillimisht duhet të bëjmë gjërat më të rëndësishme, “gurët e mëdhenj”, pra të vendosim prioritetet. Ndryshe nuk do të gjejmë asnjëherë kohë për të bërë gjithçka.

Por ajo që askush nuk e thotë është se mësuesi i ka gënjyer nxënësit. E trukoi shfaqjen e tij duke sjellë me vete pak gurë të mëdhenj, i bindur paraprakisht se do të futeshin në kavanoz. Për pjesën më të madhe të njerëzve, sot problemi thelbësor i kohës nuk është vendosja e prioriteteve, por është se gjërat e rëndësishme për t’u bërë janë shumë: të mbash vendin e punës, të paguash qiranë, të jesh prind i mirë, të gjesh kënaqësinë në jetë e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, kemi shumë gurë të mëdhenj që nuk do të hynin kurrë në atë kavanoz.

Mu ndërmendën gurët dhe kavanozi i reçelit teksa po lexoja “Puna më e vështirë në botë”, një rrëfim brilant i botuar nga Atlantic ku John Dickerson thotë se të jesh president i Shteteve të Bashkuara është një sipërmarrje e pamundur.

Të fiksuar pas dështimit të presidentit aktual, harrojmë shpesh herë përkushtimin që kërkon ajo detyrë (të menaxhosh miliona punonjës, të vendosësh për çështje jetë a vdekje, të tejkalosh bllokimet e vendosura nga opozita ndërsa kalon nga një ceremoni në tjetrën ku duhet të shfaqesh gjithmonë i qeshur për t’i bërë qejfin popullit) shkon përtej kapaciteteve të gjithkujt. Ndoshta kemi arritur në pikën ku dëshira për të provuar diçka u takon atyre që nuk dinë limitet e vetvetes.

Asnjë nga ju nuk është president (të paktën këtë supozoj), por kjo nuk do të thotë se sipërmarrja juaj nuk është po aq e pamundur. Ndoshta nuk mund të kënaqni kërkesat e trupit tuaj me burimet që keni në dispozicion. Ndoshta nuk mund të jeni prindi që do të dëshironit të ishit pa lënë punën aktuale. Ndoshta nuk ekziston asnjë zgjedhje në jetë që mund t’u japë ndjesinë e përmbushjes së pritshmërive të familjes suaj e në të njëjtën kohë të jeni në paqe me vetveten.

Nuk ekziston asnjë parim sipas së cilit duhet të jeni në gjendje të kryeni të gjitha rolet që mendoni se mund të kryeni. E kur rregullat e lojës e bëjnë të pamundur fitoren, zgjidhja e vetme është të ndryshosh rregullat e lojës.

Sipas Dickerson, kjo do të thotë të ndryshosh rrënjësisht detyrat e një presidenti. Për ne “vdekatarët e thjeshtë” nënkupton se duhet të sakrifikojmë diçka: të vendosim se çfarë jemi në gjendje të lëmë mënjanë ose ta bëjmë keq, për të bërë mirë atë që ka më shumë rëndësi për ne. Sepse një gjë është e sigurt: Kavanozin nuk e zgjerojmë dot./Oliver Burkeman është gazetar i britanikes “Guardian”, ku çdo javë shkruan në rubrikën e tij “Ky shkrim do të ndryshojë jetën tuaj”. Shqipëruar nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al