Sa nje kafe nga Iva

Vera e vetmisë së madhe

Nga Iva Tiço*

“A do dalim për një hamburger tek ai lokali…”. Nuk arrij të them emrin e vendit, se shoqja e ngushtë ma kthen me tërbim: “Je në terezi? Dua tre ditë ta tret”.

Vë shpirtin në paqe, se së  paku nuk më përmendi as fjalën dietë dhe as kilogramë të tepërt, si gjithë të tjerët. As nuk më propozoi që të shkonim në një tjetër vend, ku një sallatë me kuinoa dhe me avokado qenka ajo që sipas një shoqeje tjetër, është ushqimi më i mirë për moshën tonë (edhe pse pas një dreke të tillë, një drekë e dytë prej vërteti në shtëpi është domosdoshmëri). Dhe s’di sepse këtë verë sikur e kanë bërë me fjalë të gjithë të më nxijnë jetën, duke më përmendur vetëm ushqime të tilla. Madje edhe meshkujt, ata që deri tani janë mbajtur si specia që nuk e ka haberin e fjalës “dietë”, tani ulen e flasin me orë të tëra për ato që duhen ngrënë dhe ato që nuk duhen futur në gojë. Madje dhe për kosin me fara “chia”, që na qenkësh shumë i ushqyeshëm dhe i këshilluar për mëngjes, bashkë me atë të bekuarin avokado, që këtë vit shfaqet në çdo foto në Instagram, me të njëjtin intensitet si flamingoja rozë.

Ja për këtë do mbahet mend ndoshta kjo verë: avokadot dhe flamingot. Të dyja bashkë, simbol i jetës së bukur, jetës së kujdesshme, të shëndetshme, jetës prej vajze të pasur, që kalon një verë të jashtëzakonshme, nga ajo që u zilepsen të gjithë në Instagram. Shpeshherë u zilepsem dhe unë,  sa herë që nuk kam asnjë plan më të mirë sesa qëndrimi në divan: a nuk po ia kalon gjithkush bukur këtë vit në Instagram? Të gjithë në plazh, me trupa perfektë, pishina me pamje magjepsëse, kokteje, perëndime dielli, perëndime që qëndrojnë në pëllëmbën e njërës, në puthjen e tjetrës, në gotën time të verës… Të gjithë jemi bërë fotografë të shkëlqyer, gati për t’u futur aty në konkursin “kush merr me shumë like”.  “Të të bej një foto këtu?”, më thotë shoku im, ndërsa jemi duke dalë nga holli i një hoteli dhe unë jam duke rrotulluar sytë gjithandej me shpejtësi… Mesa duket më ka lexuar mendimin: isha fiks duke bërë planin, që tek ai  cepi ku janë kompozimet e luleve, unë të rrotullohesha dhe të kapja një fotografi gjysmë-balerinë, gjysmë Marilyn Monroe… Mendoj që shoku im është një gjeni, që di të kuptojë se çfarë duan gratë, por në minutë arrij ta zbuloj se si ma ka lexuar mendimin: në çdo cep të hollit, në çdo kulltuk, pranë çdo verande apo objekti që duket i bukur qëndron një grua që mbledh barkun, nxjerr pas vithet, drejton shpatullat, gre kokën, buzëqesh dhe qëndron e ngrirë, pa marrë frymë, ndërsa një burrë ngjitur me të jep e merr me celular në dorë, ndokush madje gati i shtrirë në tokë, që këmbët e të fotografuarës së dalin sa më të gjata dhe me shpresën që servisi fotografik të mbarojë shumë shpejt, sapo të kapet poza perfektte…

Kështu pra na qenka kjo punë: pas çdo fotografie të bukur në rrjet qëndron një burrë, që heq të zitë e ullirit derisa të kënaqë gruan e tij. Ose një shoqe e ngushtë, që shkrin gjithë talentin, e bindur që sapo të mbarojë punë si fotografe, do nisë punën si modele dhe shoqja do ia kthejë mbrapsht nderin… Dhe kështu nga një fotografi tek tjetra, nga avokadoja e kosi i mëngjesit, tek seti i paradites, pjatat e drekës, aperitivi i pasdites dhe çlirimi i fantazisë për të kapur perëndim, ikin edhe pushimet. Pa folur, pa notuar, pa lexuar, pa qeshur me gjithë shpirt, pa fjetur të  qetë në shezlong, por thjesht duke pozuar, një punë e vërtetë, njëzeetekatër orë në njëzetekatër. Por vetëm kur takoj një të njohurën time, nga ato që kanë disa dhjetëra K like në instagram, e kuptoj se kjo është punë e mirëfilltë: pas disa ditësh që e takoj rregullisht çdo ditë në palestër kujtohem që ajo nuk  është me pushime, siç e shoh çdo mëngjes në plazhet e Jugut në Instagram, duke u thënë “mirëmëngjes” fansave….  “Oooo isha para dy javëve”, thotë ajo duke më treguar se ka ndenjur një fundjavë të gjatë, se më shumë nuk rrihej se çmendeshe… Dhe shkrihet së qeshuri me naivitetin tim kur i them se i kam parë së paku dhjetë palë rroba banje në fotot e ditëve të fundiit. “Kisha marrë dhe të tjera me vete, por nuk më doli koha të bëja foto me të gjitha”.

Ja pra ky na qenkërka sekreti i atyre, që sipas rrjeteve sociale, e kalojnë jetën me pushime: në një fundjavë bëjnë fotografi sa për tre javë. Për të futur pastaj në krizë me qindra vajza të tjera, që në shtëpitë e tyre apo në pushimete tyre me familjen, jeta nuk u duket dhe aq e bukur sa  ajo në Instagramin e idhujve të tyre. Paçka se dhe idhujt mund të kenë ditët e tyre gri, të mbyllur në shtëpi. Paçka se ajo komerdarja e dikurshme e zisit, ku hipnim dhjetë fëmijë bashkë, mund të sillte më shumë lumturi se ajo flamingoja e marrë borxh pesë minuta, për një fotografi. Paçka se e qeshura e shpenguar me një shoqe buzë detit mund të jetë më çliruese sesa një qeshje e studiuar me orë të  tëra para pasqyrës. Paçka se nje puthje e shpejtë e rrëmbyer në hollin e hotelit mund të jetë ku e ku më mirë sesa minuta të tëra me burrin si arush fotograf. Paçka se një hamburger dhe një birrë sot në drekë do ishte shumë më i shijshëm sesa sallata me kuinoa, shoqëruar me atë që duhet ujë detoks, me limonë dhe mente…

Mund ta kisha kaluar vetëm këtë verë, ngaqë të gjithë janë të zënë, duke jetuar shëndetshëm dhe bukur. Por për fat, vajza dhjetëvjeçare e mikeshës sime nuk ka frikë se mund të shëndoshet dhe më ka thënë që sa herë të dua fast food mund të më shoqërojë ajo. Dhe me këtë rast mund të pimë dhe një coca cola dhe vera të ketë sërish shijen e dikurshme./ Copyright Tiranapost.al