Aktualitet

Vendoset në Tiranë shatërvani për miqësinë shqiptaro-hungareze, në prill përurohet busti i Skënderbeut në Budapest

Vendoset në Tiranë shatërvani për miqësinë

Shqiptarët dhe hungarezët kanë një marrëdhënie speciale mes tyre, që daton nga koha e heronjve të dy popujve tanë, Skënderbeut dhe Janosh Hunidadit. Në këtë 100-vjetor të Tiranës Kryeqytet, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti një delegacion të kryesuar nga Nënkryetarja e Budapestit, Erzsébet Gy Németh, për të biseduar rreth shtimit të marrëdhënieve mes dy qyteteve, si dhë përurimin e shatërvanit të ri pranë Bibliotekës Kombëtare. Ky donacion ka si qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, formimin dhe mbrojtjen e mjedisit, duke vlerësuar rinovimin e burimeve urbane, që janë të rëndësishme dhe prioritet për qytetin e Tiranës.

“Mes dy qyteteve tona kemi një raport shumë special dhe mezi pres që kjo marrëdhënie të shkojë edhe më tej. Sot fillojmë me një kontribut qytetin tonë, vendosjen e një shatërvani kushtuar marrëdhënies së veantë të dy heronjve tanë kombëtarë, Skënderbeut dhe Janosh Huniadit. Për ta vazhduar pastaj në datën 21 Prill, ku ne do të inaugurojmë bustin e Skënderbeut në Budapest, në një nga parqet më të bukura të qytetit”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar raportet mes dy qyteteve, Veliaj shtoi se vendosja e linjave direkte të transportit me Budapestin, do të rrisë numrin e turistëve. “Kemi gjetur zgjidhjen e përkryer për të lënë dy shenja në qytetet tona me rastin e 100-vjetorit të Tiranës Kryeqytet. E di që ky është vetëm fillimi, dhe përtej 500 viteve miqësi e vëllazëri midis dy popujve tanë, është një lajm shumë i mirë që edhe qytetet tona janë të lidhura shumë fort. Një raport që nisi para rreth 10 vitesh, por që kemi një shans ideal që ta çojmë edhe më larg. Është një lajm i shkëlqyer që linjat ajrore hungareze e kanë kthyer Tiranën në një mini-qendër, me të paktën 9 destinacione”, deklaroi ai.

Pasi i dorëzoi nënkryetares së Bashkisë së Budapestit “Kullën e Sahatit”, në shenjë të miqësisë mes dy vendeve, Veliaj shprehu bindjen e plotë se dy qytetet do të ecin përpara në rrugën e progresit.

Nënkryetarja e Bashkisë së Budapestit, Erzsébet Gy Németh, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen e ngrohtë dhe e ftoi për një vizitë zyrtare në Budapest. “Jam shumë e lumtur që jam këtu dhe që do të fillojmë këtë marrëdhënie 100-vjeçare mes 2 popujve. Ju mirëpresim në Budapest më datën 21 Prill për të përuruar statujën e Skënderbeut në Budapest”, nënvizoi ajo.

Gjatë këtij bashkëpunimi të ngushtë 4-vjeçar, UKT dhe Kompania e Ujësjellësit të Budapestit, kanë punuar së bashku për të krijuar një vizion rreth zhvillimit teknik të së ardhmes të UKT-së, përmes zhvillimit të studimit me titull “Masterplani Afatmesëm i Zhvillimit teknik dhe Strategjik të UKT”.