• Shqip
  • English
  • E premte, 24 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • My Tirana Të gjitha

    Veliaj: Shkolla në Kodër-Kamëz do jetë më e bukura! Kundërshtojnë ata që sulmonin sheshin, Pazarin, lodrat


    Shkolla e re “Servete Maçi” në Rrugën e “Dibrës” po merr formën e saj përfundimtare dhe shumë shpejt do të jetë një nga shkollat më të mira të Tiranës, si për nga cilësia, edhe standardet mësimore. Ajo do të jetë një konkurrente e fortë edhe për shkollën “Kosova”, e cila u ndërtua pak muaj më parë dhe sot vlerësohet si shkolla më e mirë e kryeqytetit.

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se shkolla e muzikës “Servete Maçi” do të jetë më e bukura në vend. I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kryebashkiaku inspektoi punimet e deritanishme dhe shtoi se parimi është që çdo shkollë që ndërtohet në Tiranë të jetë më e mirë se paraardhëset.

    “Kishte ardhur koha që shkolla “Servete Maçi” të merrte një pamje dinjitoze. Është filluar nga zero. Për këdo që është cinik, dyshues, për këdo që edhe për këtë zonë këtu thoshte do bëjnë ndonjë pallat, ja ku jemi sot! Në fakt, është një pallat, por pallat arsimor, i cili ka për herë të parë palestër, një sallë koncertesh, ashensor për personat me aftësi të kufizuara dhe salla kompjuterësh. “Servete Maçi” do të jetë shkolla më e mirë në Tiranë. Parimi ka qenë: çdo shkollë e re të jetë më e mirë se ajo që bëmë përpara. Kështu që, “Servete Maçi” do jetë më e mirë se shkolla ‘Kosova’”, tha Veliaj.

    Ai theksoi se modeli dhe standardi i lartë i ndërtimit të objekteve arsimore do të shoqërojë të 17 shkollat e reja që do të ndërtohen në gjithë Tiranën. “Shkolla që do ndërtojmë në “Don Bosko” do jetë me e mirë se “Servete Maçi”, kurse ajo e Kodër-Kamzës, do jetë më e mirë se të gjitha bashkë. Pse e them këtë? Sepse kush ka jetuar në Tiranë këto 4 vite dhe ka parë me sytë e tij zhvillimin, kupton se ata që sulmojnë sot shkollat janë të njëjtët ata që sulmonin deri dje sheshin, Pazarine Ri, lodrat te Liqeni. Të njëjtat fytyra, të njëjtët personazhe; as nuk marrin mundimin të ndërrohen. Përgjigjja jonë është: shiheni punën, siç e meriton ky komunitet, e meriton dhe Kodër-Kamza”, shtoi më tej kryebashkiaku.

    Duke u ndalur te projekti tjetër për ndërtimin e shkollës së integruar në Kodër-Kamëz, Veliaj tha se ajo jo vetëm që do t’i shërbejë 30 mijë banorëve të zonës, por do t’i shërbejë më së shumti fëmijëve për t’u arsimuar me të njëjtat standarde, si dhe bashkëmoshatarët e tyre në qendër të Tiranës. “Kodër-Kamza nuk mund të jetë kontigjent për protesta të dhunshme; Kodër-Kamza ka të gjithë potencialin për çuna dhe goca me talent, që nesër mund të bëhen doktoresha, kryetarë bashkie, inxhinierë, dhe nuk ka asnjë arsye pse disa komunitete t’i diskriminojmë duke i futur në një xhep, dhe duke thënë se ata i kemi për protesta dhe shkatërrim. Ndërkohë, unë besoj se Kodër-Kamza sot ka një potencial fantastik që nxënësit e atij komuniteti të nxjerrin nga varfëria dhe nga ky kurth jo vetëm veten e tyre, por edhe familjet e tyre”, shtoi Veliaj.

    Kryebashkiaku theksoi se në fund edhe të këtij debati historia do t’i ndajë njerëzit në ata që e duan shkollën dhe në ata që janë kundër saj. Ndaj, ai ftoi banorët dhe çdo zë të arsyeshëm të mbështesë projektin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shkollave të reja, që do t’i japin fund mësimit me dy turne dhe do t’i japin një hov tjetër cilësor mësimdhënies në Tiranë.

    “Në fund të ditës, kur të shkruhet historia, nuk ka kohë njeri të merret me detaje: do t’i ndajë kush ndërtoi shkolla, e kush pengoi shkollat. Kaq e thjeshtë është historia! U bëj ftesë të gjithëve të kalojnë në anën e atyre që ndërtojnë shkolla, jo të atyre që pengojnë shkollat. Për sa kohë qeveria i ka shpronësuar, për sa kohë bashkia po e bën në terren privat, çdo fantazi e atyre që e kishin mundësinë ta ruanin Universitetin Bujqësor, por që me 200 ndërtime pa leje, duke bërë pazar me çdo bingo, me çdo pikë bastesh, me çdo “strip club”, mejhane, dhe me çdo ndërtues që ia kaparonte pronat afër, u diskredituan 30 vite. Të pafuqishëm për të ndaluar privatin, mundohen të lënë fëmijët e vegjël që duan të shkojnë në shkolla cilësore si “Servete Maçi””, vijoi ai.

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh i vendosur që të çojë deri në fund projektet madhore, siç është edhe rasti i Bulevardit të Ri, i cili është tashmë në fazën e fundit të ndërtimit të tij. “Sot ka nisur lirimi i brezit të parë të shtëpive. Do të vazhdojmë kështu çdo ditë. Në Tiranë nuk do të lejojmë ‘Astirizimin’ e shoqërisë: kap një deputet budalla, gjej dhe nja dy media të politizuara, dhe mbaj gjithë shoqërinë peng. 99.99% e këtij qyteti do të ecë përpara, do që gjërat të bëhen me drejtësi dhe që taksat të përdoren me kujdes”, deklaroi Veliaj.

    Ai bëri të ditur se edhe për banorët që preken nga ky projekt dhe që kanë ndërtuar në gjurmën apo në shtratin e lumit do t’i ofrohet banesa sociale. “Pyetja është: i vajte ti lumit, apo erdhi lumi te ty? I vajte ti lumit! Ajo që kemi propozuar është: Kush ka ndërtuar në shtrat të lumit, aty ku përfundon bulevardi, do marrë banesë sociale. Pra, banesë për banesë. Janë shumë herë më të mira se ato që i merr lumi. Ama, t’u marrësh lekët e shkollave taksapaguesëve sepse ke ndërtuar pa leje në breg të lumit, nuk shkon. Edhe Sali Berisha që e shkatërroi këtë shtet, edhe ai nuk i përfshiu në VKM, që s’e kishte problem fare ta shkatërronte edhe më shumë. Por, kur edhe ai pati një limit të çmendurisë së vet, do të thotë që ne të tjerët duhet ta kemi patjetër një limit. Shtëpi për shtëpi, asnjë njeri jashtë, asnjë njeri i pastrehë”, sqaroi Veliaj.

    Ai u shpreh se qyteti nuk mund të mbetet peng e karshillikut dhe interesave politike të një grupi të caktuar, pasi shumica e qytetarëve kanë votuar që transformimi i qytetit të ecë përpara. “Ne e kishim një qytet ku s’bëhej asnjë punë, por votuam për një qytet që të bënte gjëra. Ndaj, si një qytet që bën gjëra, do vazhdojmë të bëjmë gjëra: do vazhdojmë të bëjmë shkolla, do vazhdojë unaza te Astiri, do vazhdojë Bulevardi i Ri, se në fund të ditës shumica ka vendosur që qyteti të ecë përpara. Kush mendon se ka nevojë për ndihmë ekonomike, për banesa sociale, për bonus qiraje, për kredi të butë, do t’i marrë, por jo te Bregu i Lumit. Ajo është një hapësirë që duhet ta shijojmë dhe duhet ta shfrytëzojmë të gjithë. Oferta është aty prej 5 muajsh për banesat sociale, është kjo e vetmja mënyrë sesi mund të ndihmojmë hallexhinjtë, por pa i kthyer në hallexhinj 1 milion të tjerë që duan zgjidhje nga qyteti i Tiranës”, tha Veliaj.

    Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe njëherësh deputete e PS në Njësinë 9, Ogerta Manastirliu, u shpreh se ky investim është një shembull shumë i mirë se si Tirana po zhvillohet ditë pas dite dhe po bëhet shumë më miqësore për fëmijët, të rinjtë, për komunitetin.

    “Është një lajm shumë i mirë për banorët e Njësisë 9; në fakt ky është një lajm shumë i mirë edhe për banorët e Tiranës, sepse tashmë përmirësojmë standardet në shkollat tona, shkolla jo vetëm si shkollë, si qendër muzike, qendër sportive, por shkolla si qendër komunitare. Shumë faleminderti Erion, shumë faleminderit ekipit të Bashkisë së Tiranës, me të vërtetë po na tregon një shembull shumë të mirë se si Tirana po zhvillohet ditë pas dite dhe po bëhet shumë më miqësore për fëmijët, të rinjtë, për komunitetin”, deklaroi Manastirliu./Tiranapost/A.C