Aktualitet

Veliaj: Paratë ruse po përdoren për të goditur shtetin me molotov, pse ka frikë Basha të shkojë në Prokurori?

Veliaj: Paratë ruse po përdoren për të goditur shtetin me

Nga Njësia 3, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se opozita ka zgjedhur që nëpërmjet parave të dyshimta të ardhura nga Rusia, po kërkon të dëmtojë imazhin e vendit dhe rrugën e tij drejt BE-së, duke goditur institucionet me Molotov. Por, pavarësisht kësaj, sipas tij, shqiptarët e kanë zgjedhur njëherë e mirë rrugën e tyre drejt vlerave të demokracisë amerikane, duke refuzuar influencën ruse.

“Të jem i sinqertë, më mirë të kemi influencën amerikane në çdo proces demokratik tonin, sesa influencën e rusëve. E provuam njëherë influencën e rusëve, nuk na doli mirë. Nëse duhet të zgjedhim kë do kemi mik, unë them se zgjedhja është e qartë, sot ka më shumë shqiptarë që besojnë Amerikën, sesa shqiptarë që besojnë Zotin, apo Perëndinë. Për të gjitha këto arsye, lind pyetja: Kur ty të thërrasin në prokurori të shpjegosh sesi PD merr 1 milionë dollarë nga rusi dhe i çon këto për të ndërhyrë në procese të një shteti tjetër, si nuk e vure re? Ne na vjen dikush për një vaki, lë 5 mijë lekë apo 10 mijë lekë te filxhani, e jo vetëm që e vëmë re, por dikush pas shpinës sonë është duke e shënuar te një libër, që kur të jetë momenti për të kthyer vizitën, do duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Ti po më thua që nuk vure re sesi rusët futën 1 milionë euro në llogari dhe ty të shpëtoi kjo? Merrini lekët e rusëve, e kam thënë edhe herë të tjera, merrini, por nëse jeni fukarenj, blini bukë, blini ushqime, blini rroba, rregulloni shtëpitë tuaja. Të marrësh paratë e rusëve dhe t’i bësh molotov, t’i bësh fishekzjarre, t’i harxhosh që të vrasësh, ose të tentosh të vrasësh policët e tu, apo edhe njeri-tjetrin, apo të dëmtosh institucionet që nuk janë pronë private, as e Edit, as e Lalit, as e askujt, kjo është poshtërsi”, tha Veliaj.

Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të penguar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, Partia Socialiste edhe kësaj here nuk do të lejojë që vendi të merret peng e interesave të drejtuesve personale të opozitës.

“Ju kujtohet historia kur Ballkani ziente për luftën e Kosovës dhe Sali Berisha doli dhe tha që UÇK-ja është organizatë terroriste? Pastaj, kanë pasur një kompani këta të PD-së, quhej kompania “Shqiponja”, që bënte të gjitha lëvizjet ekonomike dhe rreshtonte të gjitha autobotet të shkonin dhe të furnizonin Milosheviçin me naftë. Pastaj, Saliu bëri thirrje të mos bëhej marrëveshja e Rambujesë, që të mos vinte kurrë ajo dita e premtuar në Kosovë. Edhe në ditët tona më të vështira si komb ka qenë vetëm PS që mbështeti UÇK-në, që hapi dyert për vëllezërit kosovarë, që njohu Rambujenë. Ju kujtohet kur ishte mundësia për të negociuar detin se si e fali detin vetëm që t’i mbështeste fqinji ynë politikisht? Ju kujtohet se çfarë bënë kur Luli kishte Bashkinë e Tiranës, që i ngeci ora dhe nuk nguli dot një gozhdë? Ju kujtohet si tha edhe për hetimet e rrugës Durrës-Kukës, më dhëmb barku, nuk shkoj dot sot në prokurori? Ju kujtohet në 21 janar kur vranë 4 veta nga tanët me plumba në mish? Kurse ne sot shqetësohemi që ata të mos rrihen me njëri-tjetrin, se as që diskutohet që t’i prekë njeri me dorë. Ne mërzitemi kur ata rrihen me njëri-tjetrin. E kuptoni në çfarë niveli është Shqipëria sot dhe sa lart ka avancuar Shqipëria me PS?”, deklaroi Veliaj. /Tiranapost.al/