• Shqip
  • English
  • E shtunë, 25 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet My Tirana Të gjitha

    Veliaj: Pa Edi Ramën kryeministër nuk do të bënim kaq shumë punë në Tiranë


    Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjatë një aktiviteti në njësinë dy në Tiranë, ka thënë se pa mbështetjen e Edi Ramës si kryeministër nuk do të ishin të mundura gjithë këto investime në kryeqytet gjatë këtyre dy viteve.

    “Secili nga investimet e mëdha apo të vogla që janë bërë në Tiranë, nuk do të bëheshin dot pa mbështetjen e qeverisë qendrore dhe Edi Ramës. Fati ynë i madh është që kryeministri ka qenë vetë kryetar bashkie dhe jo vetëm ka lënë një gjurmë të jashtëzakonshme në Tiranë, por kemi parë të dyja epokat. Kemi parë çfarë do të thotë të kesh një kryetar bashkie që lejohet të punojë dhe çfarë do të thotë të kesh një kryetar bashkie, i cili pengohet në mënyrë konstante nga qeveria, ashtu siç ndodhi me Edi Ramën kur i sabotuan punët publike si mbikalimi i Zogut të Zi, i cili u bë pluhur e hi. Të njëjtën gjë me nënkalimin, pastaj bënë të njëjtën gjë me projektin e sheshit Skënderbej”, tha Veliaj.

    Ai tha se në katër vitet në krye të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nuk bëri asgjë për të përmirësuar jetën e fëmijëve, ndaj premtimi i tij për ushqim falas në kopshte është një gënjeshtër që nuk do ta realizojë dot. “Kur dëgjoj këtë kandidatin për kryeministër, Lulin, i cili veçse fjeti për 4 vjet, të thotë që do i ushqej të gjithë fëmijët në çerdhe dhe kopshte, i kujtoj se ato janë detyrë e kryetarit të bashkisë. Unë e kuptoj që ai mund të gënjejë jashtë Tirane, por në Tiranë nuk gënjen dot sepse njerëzit e dinë që çerdhet dhe kopshtet i ka bashkia dhe nëse Lulzim Bashës i digjej shpirti për çerdhet dhe kopshtet, kishte 4 vjet për të na treguar çka mund të bënte në Tiranë. Ama, nëse modeli i gjumit që na serviri në Tiranë për 4 vjet, është edhe modeli që na propozon për Shqipërinë, atëherë çdo votë për Lulzim Bashën është një votë për mykun dhe për kanalet e ujërave të zeza që bien mbi kokën e fëmijës tuaj në çerdhe e kopshte. Ky ishte standardi që gjetëm”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj./Tiranapost.al