• Shqip
  • English
  • E martë, 21 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Kryesore Të gjitha

    Veliaj në Sharrë: I japim fund problemit të varrezave


    Vijon projekti për rehabilitimin e varrezave të Sharrës dhe infrastrukturës urbane përreth. Brenda parcelave të varrezave po ndërtohet edhe parkingu për makinat e kortezhit.

    Gjithmonë një hapësirë problematike dhe kaotike, tashmë varrezat e Sharrës po i nënshtrohen sistemimit të të gjithë zonës përreth. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar sot punimet duke thënë se varrezat e Sharrës po kthehen në një vend dinjitoz që të afërmit tanë të prehen në paqe.

    “Investimi i parë ka qenë në varrezat e Tufinës, sot është një ambient shumë më dinjitoz. Investimi i dytë është ky i varrezave të Sharrës, ku secili prej nesh, përfshi edhe mua, kemi të afërmit tanë. Më në fund nuk kemi probleme me varrimet. Mbaj mend në 4 vitet paraardhëse të administratës së kaluar që njerëzit varroseshin në asfalt nga pafuqia e administratës për të bërë letrat për shpronësim. Sot këto probleme, si në Tufinë edhe në Sharrë, nuk ekzistojnë më, megjithatë tani duhet të shtojmë cilësinë e këtij vendi të prehjes”, tha Veliaj.

    Gjithashtu Erion Veliaj sot foli edhe për projektin e bashkisë për të ndërtuar varrezat murale, si një mënyrë që të vdekurve t’i sigurohet prehje e qetë, por të gjallëve të mos u zihen hapësirat publike. Gjithashtu ai u ka bërë thirrje të gjithë bizneseve që shesin mermere apo lule të tërhiqen nga gardhi natyral i rrugës, për të mundësuar përfundimin sa më të shpejtë të punimeve.

    Pjesë e rehabilitimit të kësaj zone janë edhe rikonstruksioni i rrugëve lidhëse. Përveç rehabilimit të rrugicave të brendshme të varrezave, investimi parashikon të ndërtojë edhe disa segmente rrugore. Më konkretisht rindërtimin nga e para të segmentit të rrugës kryesore Tiranë-Durrës, në të cilën përveç rikonstruksionit të rrugës për automjetet me gjerësi 9 metra  është parashikuar të ndërtohet trotuar me gjerësi 1.5m në të dy anët e rrugës. Gjithashtu, ndërtimin e segmentit të rrugës dytësore të varrezave të Sharrës, në të cilën është parashikuar të ndërtohet rrugë për automjetet me gjerësi 6 m dhe trotuar me gjerësi 1 m në të dy anët e rrugës. Një tjetër rrugë që po rindërtohet është edhe segmenti i rrugës “Lekë Zaharia”, ku është parashikuar të ndërtohet rrugë për automjetet me gjerësi që varion nga 7 – 12 m dhe trotuar në të dy anët e rrugës. Brenda parcelave të varrezave po ndërtohet edhe parkingu për makinat e kortezhit./Tiranapost.al