Aktualitet

Veliaj: Do ndërtojmë një terren sportiv në çdo muaj. Zgjerojmë projektin e sportit në kopshte

Veliaj: Do ndërtojmë një terren sportiv në çdo muaj.

Tirana është shndërruar në këto 4 vite jo vetëm në një qytet të fëmijëve por edhe të atyre që duan të merren me sport. Shtimi i hapësirave sportive nëpër lagje, në Parkun e Madh të Liqenit, korsitë e biçikletave dhe hapja e të gjitha palestrave të shkollave publike për gjithë komunitetin, ka kthyer vëmendjen e qytetarëve dhe kryesisht të të rinjve te sporti.

Nga fushat e reja multisportive në Parkun e Madh të Liqenit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me sportist dhe përfaqësues të shoqatave të sportit në Tiranë, bëri të ditur se puna e bërë në këtë mandat të parë do të vijojë edhe në 4 vitet e ardhshme, por me një ritëm edhe më të madh. Ai theksoi se ashtu siç është vepruar me këndet e lojërave, bashkia e Tiranës në 4 vitet e ardhshme do të synojë të ndërtojë një teren sportiv çdo muaj.

“Një nga gjërat që kemi menduar dhe që duam të vazhdojmë ta bëjmë është siç kemi ecur me këndet e lodrave, ku kemi ndërtuar një kënd lodrash çdo muaj në Tiranë, në 46 muajt e fundit, unë do të doja që në 46 muajt e ardhshëm të ndërtonim një terren të tillë sportiv në çdo cep të lirë të Tiranës, ku ne mund të bëjmë një investim me të njëjtën cilësi që është punuar këtu”, tha Veliaj.

Gjithashtu për të masivizuar pjesëmarrjen në sportet e ndryshme edhe si një mënyrë për të jetuar shëndetshëm të brezit të ardhshëm, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës theksoi se do të synohet që ashtu siç u veprua me shkollat, të hapen terrene sportive edhe në kopshtet.

“Një nga gjërat që e kam sfidë personale për mandatin tjetër është të sigurohemi që kjo të shtrihet në 300 institucionet tona dhe kur them në të 300 institucionet tona, përfshij edhe kopshtet, edhe shkollat që janë në periferi dhe në fshat. Pse them kopshtet? Para ca kohësh, ndoshta një viti, pata një takim me Lorik Canën dhe ai më provokoi me idenë e futjes së kalçetove dhe të fushave në kopsht. Thashë në kopsht, 4 apo 5 vjeç ata do të lozin futboll? Por Loriku më bindi se në atë moshë ende nuk janë ndarë rolet dhe stereotipet e shoqërisë tonë. E kemi pilotuar në 2 kopshte, në kopshtin “Xixëllonjat” te Fusha e Aviacionit dhe në një kopsht në Kombinat dhe një nga gjërat që dua të bëj bashkë me ata që do të ofrohen si trajnerë ose do të marrin përsipër një kopsht që të kemi mundësi edhe në kopshte të tjera ta vendosim, pra ta zgjerojmë pak fashën kohore ku ne fusim sportet komunitare, duke e filluar që në moshë të vogël. Patjetër që do të duhet që të investojmë në buxhet dhe që do të duhet që ta mbështesim financiarisht dhe me zi pres që ta shtrijmë”, theksoi më tej Veliaj.

Po ashtu ai u shpreh se e njëjta gjë si me shkollat e Tiranës do të veprohet me nxitjen e sportit edhe në shkollat e zonave periferike dhe rurale.

“Shoh që kemi një hendek, po shkëlqen dhe po lulëzon sporti në shkollat e Tiranës në qytet, por kemi një hendek në shkollat në fshat. Ndërkohë që sapo ndërtuam terrene sportive të paimagjinueshme me qeverinë austriake dhe zvicerane në Katundin e Ri që është qendra e Kasharit, në Vërri që është qendra e Shën Gjergjit. Kështu që për sa kohë që investimi fizik po shkon edhe në këto komunitete, nuk shoh asnjë arsye që me disa pagesa të Bashkisë së Tiranës ne të subvencionojmë një nga klubet që përveç se të menaxhojë një shkollë në Tiranë, të mund ta menaxhojë kundrejt pagesës, me mësues jashtë orarit të mësimit ose qoftë edhe me mësuesit e shkollës ekzistuese, por të monitorohet nga ndonjë nga shoqatat tona, edhe në shkollat e periferisë”, u shpreh Veliaj. /Tiranapost.al/