Aktualitet

Vazhdon beteja me flakët. Raportohen mbi 16 vatra zjarri në të gjithë vendin

Vatrat e zjarrit si rezultat i temperaturave të larta, vijojnë të mbeten aktive dhe problematike në zona të ndryshme të vendit tonë. Vetëm në 24 orët e fundit, sipas Emergjencave Civile janë raportuar 16 vatra zjarri në të gjithë vendin.

Më kryesoret dhe problematiket njëkohësisht janë zonat në Shkodër, Vlorë, Elbasan, Tiranë, Gjirokastër, Lezhë, Kukës dhe Fier.

Janë 100 zjarrfikës me 16 automjete, 85 forca vullnetare, 50 forca ushtarake si dhe helikopterë të cilët po luftojnë për të neutralizuar flakët, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU GJIROKASTËR

•           Në fshatin Luzat, Tepelenë ka rënë  zjarr në një sipërfaqe të madhe pyjore. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 18 forca ushtarake të cilat vazhdojnë punën për të shuar zjarrin. Sipas informacioneve vatra e zjarrit është vendosur nën kontroll.

•           Në fshatin Grahot, Gjirokastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me kullotë. Forcat zjarrfikëse kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje dhe kanë bërë izolimin e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj 10 ha kullotë.

•           Në fshatin Sofranik, Dropull, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe sherebel. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 0.3 ha me shkurre, ferra dhe 0.3 ha sherebel.

•           Vatra e zjarrit në fshatin Malaj, Mirditë  u rindez gjatë ditës së djeshme. Rreth 30 forca ushtarake dhe një helikopter janë angazhuar për shuarjen e këtij zjarri.

QARKU TIRANË

•           Në fshatin Ibë, Tiranë, u rindez zjarri ditën e djeshme në një sipërfaqe pyjore me pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve u angazhuan edhe 30 forca ushtarake. Nga zjarri u dogjën 4 ha me pisha.

•           Në fshatin Hekal, Tiranë, ra zjarr në sipërfaqen e mbrojtur pyjore me pisha të Parkut të Dajtit. Për shkak të terrenit shumë malor ndërhyrja me forca tokësore ka qenë e pamundur. Për këtë është ndërhyrë nga ajri me anë të helikopterit. Nga zjarri u dogjën 0,7 ha pisha të shkurtra dhe u shpëtuan antenat.

QARKU VLORË

•           Në zonën e Ujit të Ftohtë, bashkia Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë shkuar edhe vullnetarë të cilët pavarësisht terrenit malor kanë arritur të shuajnë flakët. Si pasojë u dogj një sipërfaqe 4 ha shkurre dhe ferra.

•           Në Njësinë Administrative Armen, Selenicë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 3 ha me shkurre dhe ferra.

QARKU KUKËS

•           Në fshatin Poti i Mazrekut, Has, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe kullotë. Zjarrfikëset së bashku me disa vullnetarë kanë punuar me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë dhe  pas një pune të gjatë kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 3 ha me shkurre, ferra dhe kullotë.

QARKU ELBASAN

•           Në Prrenjas, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullore, shkurre dhe pisha. Forcat zjarrfikëse ndërhynë duke bërë izolimin dhe më pas shuarjen e flakëve. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 8 ha hamullore dhe 1 ha pisha të shkurtra.

•           Në afërsi të stacionit të trenit Librazhd, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.6 ha me shkurre dhe ferra. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

•           Në fshatin Llimas, Elbasan, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.1 ha me shkurre dhe ferra dhe 30 rrënjë ullinj.

•           Në fshatin Lolaj, Peqin, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.4 ha me shkurre dhe ferra.

QARKU FIER

•           Në fshatin Caljan, Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe 20 rrënjë ullinj.

QARKU SHKODËR

•           Në Malin Hebe, Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra.

QARKU KORÇË

•           Në fshatin Mollas, Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej 5 dynym shkurre dhe ferra. E.C/ Copyright Tiranapost.al