Aktualitet

Vazhdimësia në detyrë e Xhafajt, rrit kreditet e aksionit opozitar

Nga Ervis Iljazaj/ Përtej çdo debati dhe fajësie juridike të personit Fatmir Xhafaj, vazhdimësia e tij në postin e Ministrit të Brendshëm rrit kreditet politike të opozitës dhe legjitimon çdo aksion opozitar. Sa më shumë kryeministri ngre mur në këtë çështje, aq më tepër akumulohen fuqitë politike të opozitës.

Duket absurde në fakt, se si ka mundësi që, Kryeministri Rama dhe mazhoranca nuk e kupton barrën e kostos politike që merr përsipër duke insistuar me kokëfortësi të mbajë në detyrë një ministër, i cili po vë në diskutim çdo proces politik të rëndësishëm për Shqipërinë, duke krijuar konflikt me opozitën.

S’ka rëndësi fare në këtë rast, nëse Xhafaj ka përgjegjësi ligjore apo jo. Me shumë mundësi nuk ka, por politika flet me një gjuhë tjetër, Është gjuha e perceptimit dhe opinionit publik. Çdo veprim i moralshëm në politikë vlerësohet, dhe anasjelltas. Prandaj, shkarkimi i Xhafaj do të ishte një akt politik moral i Kryeministrit Rama, i cili do të evitonte çdo krizë politike të panevojshme për momentin politik në të cilin po kalon Shqipëria.

Është pothuajse e pamendueshme, që të vihet në rrezik dhe në dyshim procesi i hapjes së negociatave, të vettingut apo të frymës së Reformës në Drejtësi vetëm për një kokëfortësi politike, a thua se Fatmir Xhafaj është i pazëvendësueshëm në Partinë Socialiste. Në këtë kuptim duke sikur Partia Socialiste e cila përfaqëson gjysmën e Shqipërisë nuk arrin dot të gjejë një person të denjë dhe të papërfolur për afera kriminale.

Andaj, me këtë veprim, Kryeministri Rama nuk duhet të presë duartrokitje nga opozita. Opozita është palë politike, dhe, detyra e saj është të protestojë për çdo kauzë politike që ajo mendon se është e duhur. Protesta e opozitës në 26 Maj, në këtë drejtim, është një protestë e legjitimuar. Vetë Rama po me veprimet dhe mosveprimet e tij, po bën të pamundurën për të rritur aksionin opozitar.

Ndoshta Kryeministri në rastin Xhafaj ishte i pafuqishëm, për të gjitha teoritë se, ky i fundit është njeriu i ndërkombëtarëve. Nëse vërtet është kështu, atëherë, Ambasadori Amerikan Donald Lu, duhet të dalë dhe të sqarojë opinionin publik shqiptar. Deri më tani, nuk është shprehur për këtë çështje, kështu që, mund të mendojmë dhe të hamendësojmë çdo të vërtetë.

E megjithatë, duket e pamundur që politika shqiptare nuk arrin dot të ketë një politikan i cili të bashkëpunojë me ndërkombëtarët, përtej çdo aftësie juridike që ka Xhafaj.

Me gjithë respektin personal dhe profesional për Xhafajn, pasja e një vëllai i cili është dënuar për trafik ndërkombëtar droge, dhe që gjendej për shumë kohë në Shqipëri i Lirë, e bën pozicionin e tij vulnerabël, qoftë edhe politikisht. Jo vetëm atë, por mazhorancën dhe vetë Kryeministrin Rama.

Dhe, deri sa Xhafaj do të vazhdojë të jetë në atë pozicion, mazhoranca do të jetë gjithmonë e më shumë vulnerabël. Sepse, është duke i dhënë një kartë të rëndësishme politike opozitës për të luajtur. Prandaj, protesta e saj, duket si një protestë e përhershme, që do të sjellë gjithmonë konflikt politik dhe vënie në dyshim të çdo politike të qeverisë.

Edi Rama, mund të vazhdojë llogaridhënien me popullin sikur asgjë nuk ka ndodhur, por, situata politike në Tiranë është totalisht e brishtë për të dhe qeverinë. Ka një fakt që s’mund të fshihet më. Është fakti që, Ministri i Brendshëm është në një situatë lehtësisht të sulmueshme. Dhe, ky është Ministri i dytë i Brendshëm, që gjendet nën akuzë, edhe pse në një situatë të ndryshme nga rasti Tahiri./ Marrë nga Mapo - Linku origjinal: http://www.mapo.al/vazhdimesia-ne-detyre-e-xhafajt-rrit-kreditet-e-aksionit-opozitar/