Aktualitet

Varrimi i Kacifas, reagon zyrtarisht Policia: 44 grekë nuk u lejuan të hyjnë në Shqipëri, ja kush janë të shoqëruarit në komisariat

Varrimi i Kacifas, reagon zyrtarisht Policia: 44 grekë nuk u lejuan të

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht mbrëmjen e sotme për ngjarjet e ndodhura në Bularat të Dropullit gjatë varrimit të shtetasit grek. Policia thotë se ka ndërmarrë shumë masa parandaluese, duke mos u lejuar hyrjen në Shqipëri 44 qytetarëve grekë pas informacioneve se mund të shkaktonin trazira. Gjithashtu njofton se pas ceremonisë, janë shoqëruar 12 qytetarë në Komisariat.

“Në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije, Policia ka kryer kontrolle të imtësishme të personave, të cilët vinin nga Greqia për të marrë pjesë në ceremoninë mortore në Bularat. Si rezultat i kontrolleve, nuk u është lejuar hyrja në Shqipëri për 44 qytetarë grekë, të cilët janë kthyer mbrapa, pasi disponoheshin të dhëna se ata mund të krijonin incidente në fshatin Bularat. Gjithashtu, gjatë verifikimeve janë evidentuar dhe proceduar penalisht për nxitje të urrejtjes, dy shtetas, të cilët mbanin me vete banderola dhe uniforma që nxisnin urrejtjen. Në përfundim të ceremonisë nga ana e Policisë janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër 12 shtetas. Ndaj personave të shoqëruar po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale nga Prokuroria”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndërsa Report TV raporton se shtetasit e arrestuar janë Theodhor Petropulos dhe Jorgo Thoma, ndërsa 12 të shoqëruarit janë: Thanas Papas, Dhimitër Konstantinos, Nina Dinos, Jorgos Varelas, Anestis Panajotis, Andrea Kurti, Thoma Stefo, Athanasis Papas, Konstantinos Gizolis, Harallamb Karathano, Pirro Panajoti dhe Kristo Duci./Tiranapost.al