• Shqip
  • English
  • E premte, 20 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    “Varja” Valbonës, se siç thonë në PD: Goja llap e shpina dap


    Mira Kazhani/Për parantezë

    Valbonën e njoh nga larg. Ndoshta vite më herët mund ta kem rastisur në terren. Që të jem pa lajle-lule, nuk kam menduar as mirë, as neutral dhe as keq. Nuk kam menduar asgjë, madje po mos të ishte për Jeminin dhe trimërinë e tij, nuk di nëse do kujtohesha edhe për 10 vitet e ardhshme.

    Ndodh të fshihen disa njerëz nga skedat e memories dhe realisht as që e dija se Valbona, ish-spikerja me sy bojëqiell e TVSH-së, të ishte në kryesi të PD. Zero ide rreth saj! Kështu që nuk më lidh as miqësia, as puna, as ndonjë bindje apo interes madje as shijet druaj. Por nuk mendoj që për njerëzit duhet të reagojmë kur na intereson ne. Nëse dikë e pëlqejmë e mbrojmë, por nëse nuk e kemi në zonë interesash bëjmë sikur nuk dëgjojmë nga ai vesh. U habita me thënë të drejtën kur mësova se nuk kish asnjë reagim nga gratë e PD-së për një kolege të tyren. Të tentosh të ngresh dorën mbi një grua është njësoj si ta kesh rrahur. Nëse do ishte vetëm Jemini me Valbonën ai do e kish bërë me siguri. Disa thonë që vetëm për vetëm është burrë xhentil, por në sy të shokëve bëhet më trim. Këtë s’e di as nuk dua ta di. Problemi nuk quhet Jemin Gjana. Fundja ështe një burrë më shumë që s’flet nga arsyeja dhe udhëhiqet nga instinkti primitiv.

    U habita sot pasi syri.net zbuloi audion e debatit ku Valbona e shkretë realisht kish mbrojtur veten dhe të tjerët. Nuk e kish fyer në asnjë çast Jemin Gjanën, por kishte kërkuar ndihmë nga Kryetari Basha që të mos lejonte gjuhën fyese dhe etiketuese të njërit prej anëtarëve të kryesisë.

    Zotit Basha si gjithmonë i shpëtojnë nga duart shanset. Mund të dilte pas asaj mbledhje dhe të bënte të paktën si i prekur me Jeminin. Të mbronte Valbonën qoftë edhe për politikë. Zero! Siç pritej.

    Për zonjat e PD-së fitova respekt kur protestuan me dinjitet për dhunën verbale të kryeministrit Rama. E kujtoni besoj historinë e vezëve dhe letrave të lagura. Kryeministri e teproi dhe burrneshat e PD e treguan se nuk ishin Buqe në një protestë për mbrojtjen e gruas para KM.

    Po kush e deshifron politikën. Me aq halle sa ka sot PD mund të jetë vendosur me kast zbehja e ngjarjes dhe kushedi larg syve të kamerës Jemini ka kërkuar falje e mund të jetë ulur edhe në gjunjë.

    Habia numër 3 dhe më e madhja ishin kritikët e medias sociale, portalistë dhe fejsbukistë që janë të vëmendshëm ndaj çdo detaji, gabimi, lapsusi, korrupsioni, shitje-blerje, lëpirje, divorci, martese, ndryshim ngjyre flokësh, sherr shoqesh apo pushimesh. Ata që dinë ku ke ngrënë drekë pardje. Ku i kalove pushimet dhe çfarë ëndrre do shohësh sonte. Për be asnjë fjalë për rastin e Valbonës. Habitem sepse këta të tretët janë njerëz pa interesa. Udhëhiqen nga një moral i lartë. Nuk janë tipa të paguar për të linçuar e shpifur atë që e mendojnë kundërshtar. Janë njerëz të lirë që veprojnë në emër të një shoqërie më të mirë. Nuk lëvdojnë askënd dhe çdo ditë i bëjnë rezistencë lëpirjes në kafe me shok e shoqe si vetja. Ta kenë inat Valbonën? Nuk më thotë asgjë as ky argument sepse kjo kategori është kritikë e gjallë. Vepron si një masë e pastër, qelibarë!

    Të kenë shok Jeminin? Të kenë respekt aq të madh për veprën e tij dhe kanë mbyllur një sy? As kjo s’më del kund!

    Po ju njerëz që reagoni për çdo padrejtësi, pse nuk postuat një fjalë për një grua që desh u rrah në mes të Tiranës, në mbledhjen e Partisë Demokratike. Ngaqë nuk e rrahu si përfundim? As kjo nuk më qëndron. Të ishte për prova asnjë kritikë nuk do kish dalë në dritë!

    Nuk u trondit askush për Valbonën madje as Valbona vetë. Lexova statusin e saj dhe ishte sublimues e i urtë! Nuk ka faj. Me gjasë që kur ka hapur Facebook dhe ka parë që askush nuk është skandalizuar, është bindur edhe vetë që asgjë e keqe nuk kishte ndodhur një natë më parë. Ai që i është afruar ka qenë spiderman-i që shëtit mbi SHQUP dhe bën kontrolle mos është fshehur poshtë tavolinës ndonjë nga këta maskarenjtë që e shitën partinë tek Edi Rama në 18 Maj! Është penguar tek këndi tavolinës dhe e dini atë dhimbjen dërrmuese të gishtit. Ka qëlluar m’u afër Valbonës.

    P.s Quajeni satirë po deshët!/Tiranapost.al

    1 Koment

    1. Se pari mundohuni te hiqni dore nga cimkat dhe zbulimet e fonive te mbledhjeve me duar te mbyllura, nuk eshte i rastesishem ky zbulim i syri.net, ndoshta ne bashkpunim me te ashtuquaturen ”viktime” keni organizuar si sigurimi shtetit komunist , edhe pergjimin dhe acarimin.Jeni te pa besueshem.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690