• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Shëndet Të gjitha Tech

    Varësia ndaj Internetit, lundrimi në ujëra të rrezikshme


    Të dhënat e një raporti të Digital 2019 tregojnë se njeriu shpenzon mesatarisht 6 orë e 42 minuta duke lundruar në internet. Gjysma e këtyre orëve të çmuara njeriu i shpenzon në celular. Ky minutazh mund të tingëllojë i parëndësishëm, por po të marrim në konsideratë një vit të tërë, rezulton se njeriu kalon mbi 100 ditë duke lundruar në internet.

    Varësia ndaj Internetit

    Statistikat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se 2.16 milionë shqiptarë përdorin gjërësisht rrjetit e internetit 3G dhe 4G në celularët e tyre.

    Sipas këtyre të dhënave, në tremujorin e tretë të vitit 2017, numri i përdoruesve të internetit në celular u rrit me 18.4 përqind.

    Të themi të drejtën, interneti është një xhungël shpesh herë e mrekullueshme që ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën si jetojmë, mësojmë e punojmë. Megjithatë, në kohët e fundit njeriu e ka gjithnjë e më të vështirë që të ruajë ekuilibrat e jetës së vërtetë dhe asaj online. Mungesa e ekuilibrave nënkupton probleme të thella që i kanosen shëndetit mendor.

    Kina është një nga vendet e para që ka njohur dhe pranuar varësinë ndaj internetit. Në këtë vend të largët janë ngritur kampe të ndryshme rehabilitimi për njerëzit që kalojnë shumë kohë në rrjetin virtual.

    Varësia ndaj internetit ndahet në 5 kategori në varësi të asaj që kërkojnë përdoruesit: seks, lojra të fatit, lidhjet romantike, lojra dhe kërkim për informacione të ndryshme.

    Si krijohet varësia ndaj Internetit?

    Varësia ndaj internetit lind shumë thjeshtë dhe ka të bëjë me kombinimin e tre faktorëve : qasja e lehtë ndaj informacionit, ndjenja e kontrollit dhe ekzaltimi ndaj gjërave apo eksperiencave të ndaluara.

    Kjo varësi vihet re më shumë në mesin e adoleshentëve të cilët më pas janë më të prirur ndaj përdorimit të alkolit, substancave narkotike, depresionit, fobive, çrregullimeve mendore dhe agresivitetit.

    Simptomat e Varësisë së Internetit

    Disa prej simptomave më të zakonshme me të cilat përballet një person që e përdor internetin pa kriter dhe ka varësi ndaj tij janë:

    Depresioni,

    Mungesa e sinqeritetit,

    Ndjenja të fajit,

    Ankthi,

    Eufori gjatë përdorimit të internetit

    Mungesë e aftësive për vendosjen e prioriteteve apo përmbajtjes ndaj orareve të punës,

    Izolim dhe humbje të ndjesisë së kohës.

    Si të merrni në Kontroll jetën tuaj

    Ekspertët rekomandojnë që njerëzit që përdorin internetin me tepricë të bëjnë pushim herë pas here. Për çdo 45 minuta të kaluara online duhet të bëni 15 minuta pushim.

    Aktiviteti fizik është gjithashtu një ide e mirë sepse mund ta lini telefonin në shtëpi.

    Nëse ndiheni të mërzitur dhe nuk keni si e shtyni ditën, është më mirë të lexoni një libër apo të bëni një ecje se të futeni në rrjet.

    Ky është një artikull i përgatitur nga Tiranapost.al dhe riprodhimi nuk lejohet pa dijeninë e editorit.

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690