YouPost

Vajzat e mira të qyteteve të vogla!

Vajzat e mira të qyteteve të vogla!

Nga Izaora Çollaku/ Ju e njihni patjetër një të tillë. Të gjithë, padyshim, e njohin një nga ato vajzat që personifikohen me titullin "vajzë e mirë", ose edhe në mos e paçit në shoqeri një të tillë, prindërit besoj ju krahasojnë tek-tuk me vajzën e filanes që nuk bën nëna të dytë si ajo. Në qytetet e vogla lulëzojnë shumë vajzat e mira, në çdo stinë të vitit. Kur e them këtë bazohem në konstatimet e përditshme sepse banoj mes tyre.

Pastaj mendoj... Mendoj dhe më vjen ta shkul trurin nga vendi e ta hedh në ndonjë pellg me ujë të pluskojë në qetësi. Për çfarë mendoj? Pikërisht për këto vajza.

Për vajzat që ecin me kokën ulur dhe hedhin bishtin e syrit shigjetë për të parë cili po kalon me makinë përbri tyre; për vajzat që i shoqërojnë të afërmit kur duhet të ecin në rrugë; për vajzat që nuk veshin rroba "të zhveshura", sepse të veshurit tregon sa e pastër je përbrenda; për vajzat që nuk flasin kurrë me djem; për vajzat që nuk e lënë asnjëherë shtëpinë pa pastruar; për vajzat që nuk ngjyhen në fytyrë; për vajzat që nuk kanë rrjete sociale (me emrat e tyre); për vajzat që nuk flasin asnjëherë keq për dikë (në prani të tij); për vajzat që në plazh mundësisht lahen me mamin; për vajzat që i ka zili gjithë bota e i zë syri keq; për vajzat që pedagogët s'ia japin notën e mirë se kanë frikë mos ia zënë vendin; për vajzat që nuk dalin jashtë kur ora troket 20:00 (tani, përjashtojmë rastet kur i japin valium prindërve dhe kthehen në të gdhirë si aktore të filmave romantikë); për vajzat që nuk kanë shokë; për vajzat që komshiet nuk ia dëgjojnë zërin e gojës; për vajzat që i del fati pa e prekur mirë cakun e adoleshencës dhe ia hamë llokumet shpejt e shpejt se përndryshe rrezikohen nga nami keq; për vajzat që nuk konsumojnë pije alkoolike në asnje festë; për vajzat që cigaren e kanë të dëgjuar vetëm si emër (por, përtypin çimçakëzë e hedhin parfum vetëtimthi kur i takon papritur diku në kryeqytet); për këto vajza që janë të shumta në numër; për vajzat e ndershme; për vajzat e mira...

Mendoj dhe më vjen ta shkul trurin nga vendi e ta hedh në ndonjë pellg me ujë të pluskojë në qetësi. Sepse unë jam feministe, por këto vajza pëlqejnë maskilizmin. Sepse unë jam xheloze për to. Sepse unë kurrë s'do të jem një vajzë e mirë.

Mendoj...

Dhe më kujtohet një thënie e mençur: Shumë njerëz kanë frikë nga emri i keq, por pak e kanë frikë ndërgjegjen e tyre./ Për Tiranapost.al