• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Vajza që përdori vajin e karotës gabim, ua mori të gjithëve: Edhe Ramës edhe Metës


    Ne gazetarët dhe politikanët, përfshi dhe një pakicë militante që vdes të flasë për politikë e të bëjë sikur i di të gjitha, pandehim të tërë se bota sillet rreth nesh dhe se sytë e të gjithëve shohin atë që shohim ne.

    Sikur mos të ishte “google analytics”, ndoshta do të vazhdoja të besoja verbërisht se këtej nga ky fronti ynë ndodhte jeta.

    Por ja që nuk është kështu.

    Prej disa ditësh politika është me temperaturë më të lartë se ajo e këtij qershori, që më në fund solli verën. Gati-gati mendja të shkon se këtu mund të plasë ndonjë luftë civile. Se njerëzit janë në panik, se bankomatet janë bosh, se lajmet çfarë tha Edi Rama, po Ilir Meta, po Mogherini, po ky dhe ai, janë kryefjala e ditës dhe se kanë interes të gjerë. Unë, si gazetare, besoj se ajo që thonë ata, edhe nëse është mirë edhe nëse është keq, është në fakt lajmi që duhet të na interesojë, se bëhet fjalë për jetën tonë në këtë vend që e kemi shtëpinë e ëndrrave, dashurive, fëmijëve, punës dhe ku duam të vdesim një ditë. Por “google analytics” nuk më thotë asgjë nga këto. Ditën e shtunë paradite, një lajm me foton e një vajze me sy të fryrë, që kishte përdorur gabim vajin e karotës në plazh dhe kishte pësuar një alergji të rëndë, u lexua shumë. Në darkë, Ilir Meta befasoi me vendimin për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve. Rama iu përgjigj “live” atypëraty, ishin lajme që u lexuan, por për çështje minutash dhe vajza me vajin e karotës u ngjit sërish në vend të parë. Epo, thashë, ditë e shtunë dhe ende s’e kanë kuptuar lexuesit sa e rëndë është kjo situatë dhe se punët po shkojnë për dreq në këtë vendin tonë, që po bëhet si shtëpi pa çati.

    Erdhi e hëna dhe lajmet politike ishin po prapë me temperaturë. Vajza me vajin e karotës vazhdonte të lexohej shumë.

    U futa dhe e lexova edhe unë. Sepse edhe vetë jam shpesh lexuese e artikujve që shkruhen nga bashkëpunëtorët e mi. Ishte një lajm vere dhe ndoshta ajo që duan të dinë njerëzit është si të mos digjen në plazh dhe jo si të mos digjet Shqipëria. Por njerëzit janë të zgjuar, e dinë që sot askush nuk do më të vdesë për liri. Ka kohë që njerëzit po shpikin çdo gjë për të mos u plakur, për të mos vdekur. Njerëzit janë të zgjuar dhe ndoshta janë të lodhur me përmbytjen informative që vjen nga portalet e pafundëm, nga statuset që vijnë si shigjeta nga të gjitha anët.

    Sot, vajza me vajin e karotës vazhdoi të ishte të paktën në 5-shen e parë të listës së klikimeve në “google analytics” të tiranapost.al dhe më bëri të mendoj se meriton “25 rreshta” për faktin që nuk e mundi as Ilir Meta, as Edi Rama dhe as Zëri i Amerikës. Ç’t’ju them? Kujdes me vajin e karotës në plazh!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]com

    Foto/ Përdori vaj karote pa SPF në plazh, por shihni si përfundoi 21 vjeçarja