SPORT

Vajushi zgjedh Rumaninë, bashkohet me një shqiptar

Vajushi zgjedh Rumaninë, bashkohet me një shqiptar

Pas 3 vitesh në Itali, ku Serinë A e ëndërroi, por realisht preku vetëm Serinë B dhe fatin e pati kundër për shkak të dëmtimeve pa fund, Armando Vajushi ndryshon kampionat.

27-vjeçari, i cili ishte pa ekip prej verës, kur mbaroi kontratën me Avellino-n, tashmë ka gjetur ekip të ri.

Ndonëse mund të zgjidhte rrugën e rikthimit në formë duke luajtur gjysmë sezoni në Superiore, ku do ishte luks për çdo klub, shkodrani ka preferuar të shkojë në Rumani.

Aty ka zgjedhur Botosani-n, klub modest, që lufton për të qëndruar sa më larg zonës së ftohtë. Te Botosani luan edhe Enriko Papa, i cili ka habitur jo pak me sezonin e tij të mirë, duke luajtur rregullisht dhe duke shënuar një gol në kampionatin rumun, në një kohë që në Shqipëri vetëm Lushnja i dha besim të plotë në Superiore, por ai i shkuari ishte një sezon i dështuar për lagunarët dhe kaloi pa rënë në sy edhe sezoni i Papës.

Pikërisht kuçovari ka publikuar në Instagram një foto me Vajushin, i cili ka udhëtuar me Botosani-n për në kampin stërvitor në Antalia. Te Botosani luan edhe një sulmues italian, Diego Fabbrini, i cili ka luajtur për disa sezone në Serinë A./XH.K