• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 18 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Lifestyle Të gjitha TIP top

    Vaclav Haveli – shkrimtari, politikani, njeriu…


    Nga Diana Çuli

    “Meqenëse ende mbretëron kaq shumë pasiguri, nevojitet përulësi dhe maturi», Vaclav Havel.

    Vaclav Haveli është nga ata njerëz, për të cilin vendi i tij pati një nevojë të ethshme e historike. Është nga ata shkrimtarë me talent të madh që ëndërroi vetëm të shkruante, por që nuk e pati dot këtë mundësi, sepse duhet t’i përgjigjej kërkesave urgjente për liri dhe demokraci të shoqërisë ku jetonte. Është nga ata politikanë që në çastet e vështira mori përsipër barrë tepër të rëndë dhe e udhëhoqi demokracinë e sapolindur në Çekosllovakinë e asaj kohe me sa më pak dhimbje që të ishte e mundur dhe me shumë mençuri.

    Vaclav Haveli ishte njeri i kuptuar dhe i keqkuptuar, i adhuruar dhe i kritikuar rëndë, i pranuar dhe i mos-pranuar, ishte njeriu i paradokseve dhe intelektuali i patjetërsueshëm, detyrë shumë e vështirë kjo për një politikan.

    Ai ndërroi jetë më 2011, por çdo vit që kalon e lartëson dhe e rivlerëson më shumë figurën e tij. Janë shkruar dhe shkruhen shumë libra për të, ribotohen intervista, rivihen në skenë dramat e ripublikohen librat e tij, esetë, shkrimet e tij politike.

    Vaclav Haveli lindi në tetor të vitit 1935, në Pragë, në një familje të pasur, sipërmarrësish e ndërtuesish. Që në moshë fare të re, dramat e tij të para Festa në kopësht, e vënë në skenën e teatrit të Pragës në vitin 1963 dhe më pas Memorandum, stigmatizonin sistemin komunist përmes një stili absurd, siç e ka quajtur kritika e kohës, stil që vinte në dukje haptazi absurditetin e regjimit.  Ishte një nga zërat më kritikë kundër çensurës dhe dhunimit të të drejtave të njeriut, duke e shfaqur hapur disidencën e tij, aq më tepër gjatë periudhës liberale të Pranverës së Pragës. Regjimi e hoqi nga puna si redaktor gazete, ku punonte pas shtypjes së kësaj lëvizjeje dhe e dërgoi të punonte si xhenier. Haveli futet në listën e zezë dhe përndiqet vazhdimisht pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik. Por, ai nuk heq dorë së shkruari pjesë anti-totalitare. Në vitin 1977, ai, bashkë me 200 disidentë të tjerë themeluan lëvizjen e të drejtave të njeriut, të quajtur Karta 77, e cila menjëherë u perceptua dhe funksionoi si një forcë udhëheqëse opozitare. Haveli ishte një nga tre zëdhënësit e parë të kësaj lëvizjeje. Një vit më vonë ai shkruan esenë e titulluar Pushteti i të pafuqishmëve, në të cilën përshkruan regjimin “e Çekosllovakisë së normalizuar” të post-1968-ës, si një sistem moralisht të dështuar, bazuar në mashtrimin. Në vitin 1979 dënohet me pesë vjet burg për veprimtarinë e tij në Komitetin e të përndjekurve me të padrejtë, një degë e Kartës 77, që monitoronte abuzimet e të drejtave të njeriut dhe persekutimet në Çekosllovaki.  Letrat drejtuar Olgës, që ai i shkroi në burg dhe që ia dërgonte së shoqes, u shndërruan në një letërsi klasike anti-totalitare. Lirohet në vitin 1983, për shkak të presionit ndërkombëtar dhe për shkak të sëmundjes së rëndë të pneumonisë, por burgoset përsëri në vitin 1989 pasi takohet me dissidentët dhe me presidentin francez Fransua Miterran, disa javë më përpara se Miterrani të vizitonte Çekosllovakinë. Nuk e kreu të plotë dënimin, sepse për të u protestua fuqishëm brenda dhe jashtë vendit.

    Haveli drejtoi partinë e Forumit Qytetar, që luajti rol të rëndësishëm e themelor në rrëzimin e komunizmit në Çekosllovaki dhe, në vitin 1989, pas rënies së regjimit komunist, Vaclav Haveli zgjidhet presidenti i parë i Çekosllovakisë e më vonë rizgjidhet president i republikës së pavarur çeke. Më 1996 tërhiqet nga detyra për shkak të rikthimit të pneumonisë, ku mjekët i heqin një pjesë të mushkërisë. Por, në janar të vitit 1998 ai zgjidhet edhe një herë president, për një mandat të dytë pesëvjeçar, detyrë të cilën e lë në vitin 2003. Në vitin 2007 boton dramën Largim, e para që pas vitit 1988. Në të satirizohet një udhëheqës politik, i cili jep dorëheqjen, por refuzon të lërë zyrën. Kritika letrare e quan ndoshta veprën e tij më të mirë. Largimi realizohet edhe film. Pason një periudhë e lidhur më shumë me krijimtarinë, por edhe me vështirësi shëndetsore. Në 18 dhjetor, dhjetë ditë pasi ka takuar udhëheqësin shpirtëror Dalai Lamën, që ka ardhur në Pragë me ftesë së tij, Vaclav Haveli vdes.

    Deri sa vdiq mbështeti Partinë e Gjelbër. Mori nderime të shumta gjatë jetës, përfshirë Medaljen Presidenciale të Lirisë, Çmimin Gandi për Paqen, Medaljen e Lirisë të Filadelfias, Urdhërin e Kanadasë, Çmimin e Katër Lirive, Çmimin e Ambasadorit të Ndërgjegjes dhe Çmimin Hanno R. Citizenship. Viti akadamik në Kolegjin e Europës u nderua me emrin e tij. Sot konsiderohet si një nga intelektualët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Aeroporti ndërkombëtar në Pragë mori emrin e tij në vitin 2012.

    Kjo është një biografi tejet e shkurtër e një njeriu të jashtëzakonhsëm, personalitetin e të cilit është e pamundur ta përmbledhë një libër i vetëm ose një biografi e vetme, si ka ndodhur dhe në të vërtetë. Janë të panumërt autorët që kanë shkruar mbi të.

    Por, në këtë shkrim do të doja të vija në dukje disa nga anët e shumëfishta të identitetit të tij gjithashtu të shumëfishtë.  Të kësaj jete njerëzore aq të mbushur me ngjarje, punë e marrëdhënie, sa duket sikur janë disa jetë bashkë. Për këtë mendje të jashtëzakonshme e të palodhur, burim i paprerë idesh, me një synim filozofik të qartë : ai kurrë nuk i devijoi bindjeve të tij të humanizmit, aktivizmit qytetar, demokracisë së drejtpërdrejtë, mbrojtjes së mjedisit, anti-konsumizmit…anti-korrupsionit dhe hipokrizisë politike. Si president, ai vazhdoi të ishte gjithnjë një disident politik, ku gërshetohej dhe ndjeshmëria e tij artistike. I shkruante vetë fjalimet, duke i konceptuar shpesh si punë letrare dhe filozofike, me të cilat jo vetëm që kritikonte teknologjinë jo-humaniste të politikës moderne, por edhe i bënte thirrjeve bashkëqytetarëve ti tij çekë të mos binin pre e konsumizmit dhe politikave jo të thella të partive.

    Po të lexosh intervistat dhe shkrimet e Havelit mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, të bie në sy se ai flet dhe analizon më pak periudhën e kohës së regjimit, kur disdenca e tij u shndërrua në një forcë popullore të pamposhtëshme, se sa për periudhën e post-komunizmit. Mbizotëron, në këto shkrime, koncepti se liria e fituar ishet një përgjegjësi tepër e madhe, se demokracia që populli çekosllovak – më pas vetëm ai çek, duhet të ndërtonte, nuk ishte diçka e lehtë. Është me shumë interes të rilexohet Haveli, vepra e tij, të rishikohet veprimtaria e tij politike dhe të studiohen konceptet e tij për gjithçka që lidhet me një demokraci të re. Me shumë interes dhe për ne si shqiptarë, që kemi patur situata të ngjashme – ndonëse kushte shumë më të egra regjimi dhe diktature, për pasojë edhe vështirësi më të mëdha për të ndërtuar një shoqëri demokratike. Por, mendimet e Havelit, veprimet dhe vendimet e tij në momente të koklavitura, janë origjinale dhe gjithnjë me bazë humane. Mua më duket se pesha e Havelit si politikan i periudhës post-komuniste bëhet shumë herë më e madhe se sa po të kishte mbetur vetëm një disident i kohës së luftës kundër regjimit.

    Kur ai shpjegon se si vendosi të pranonte të bëhej president, thotë me sinqeritet se nuk ishte i përgatitur për këtë rol, e kundërta e presidentëve amerikanë, për shembull, që janë të përgatitur. Ne u zgjodhëm si politikanë brenda disa orëve, tregon ai, vendosëm të merrnim përsipër detyra dhe jo vetëm të rrinim mënjanë e të kritikonim ata që punonin.

    « Të jesh disident, thotë ai në intervistën me Karel Hvizhgjalën, gazetar e personalitet i njohur çek, do të thotë të kritikosh, të tregosh kontradiktat midis të thënës e realitetit, të analizosh falsitetin e gjuhës, të monitorosh shkeljen e të drejtave njerëzore e qytetare si dhe të organizosh protesta. Kemi të bëjmë më tepër me një veprimtari destruktive. Politikani sigurisht vazhdimisht duhet të shkatërrojë diçka, por në të njëjtën kohë më me forcë dhe me një energji më të madhe duhet të ndërtojë diçka të re, të këtë një qëllim, një ide drejt së cilës do ta drejtojë shoqërinë.

    Haveli, që në fillim të mandatit të tij të parë si president u përball me shumë çështje të rëndësishme. Së pari, shumë filluan të kritikonin se nuk po punonte sa duhej për të hequr të gjithë komunistët nga administrata. Ai e shpjegon shumë mirë këtë proces, mungesën e kuadrove, vështirësinë e përzgjedhjes se cilët duhet të mbanin e cilët jo, ndihmën e atyre ish – pushtetarëve që vërtetë besonin tek ndryshimi i sistemit, por që kjo ndihmë shihej me dyshim, krijimin e legjislacionit, marrëdhëniet me shtetet e tjera…

    «Shpëtimi kombëtar, nën pretekstin e vendosjes së rregullit – kjo është ideja bazë e të gjithë puçistëve. Dhe shtetet e rinj pas luftërave botërore nuk lindën mbi gërmadhat e atyre që krijuan shtetet e mëparshme, të gjithë në radhë të parë filluan të funksionojnë me institucionet dhe nëpunësit e së kaluarës.(…)Kështu, me Forumin Demokratik dhe me sistemin demokratik filluan të bashkohen dhe shumë komunistë, policë, ushtarakë, funksionarë shtetërorë etj. Për këta njerëzpatëm nevojë sepse, siç e thashë, nuk mund të zinim të gjitha postet me disidentë ose me miqtë tanë nga undergroundi, por problemi ishte se si të dallonim se cili këtë e mendon sinqerisht dhe dëshiron me të vërtetë të punojë në dobi të demokracisë së freskët dhe cili është mashtrues e dëshiron vetëm ndonjë funksion të rëndësishëm,”  shkruan ai në të njëjtën intervistë.

    Së dyti, ishte ndarja me Sllovakinë dhe krijimi i dy shteteve të pavaruara. Ai jep dorëheqjen, sepse, siç mendonte, ishte zgjedhur president i një shteti tjetër dhe tani duhej kryer më parë ky proces. Çekët, të mësuar me shtetin e madh e quajtën humbje përdorimin e kartës nacionale të Sllovakisë, por Haveli mendonte se do të ishte gabimi i tij më i madh nëse do të përpiqej t’i mësonte popullit sllovak mënyrën se si të reflektonte mbi veten e tij si komb, as të mos shihte lëvizjen emancipuese sllovake, megjithëse, ‘nuk isha as unë i çliruar nga disa paragjykime”, nuk ngurron ai të analizojë veten e tij, simptomat nacionaliste tek çdokush. Dhe, si thamë më sipër, bën gjestin unik të japë dorëheqjen e të rizgjidhet më vonë, kur dy republikat u ndanë më vete.

    Së treti, Haveli e kritikon partikracinë, si e quan ai, një traditë të vjetër të kontinentit dhe që rrezikon demokracitë, sepse i degradon ato. U kritikua shpesh se nuk i donte partitë politike, ndërkohë që ai dëshironte vetëm e vetëm që partitë në kuadrin e demokracisë parlamentare të luajnë rolin e tyre kreativ e në të njëjtën kohë të thjeshtë, “të cilin duhet ta luajnë, për të cilin nuk do të korrin në publik të qeshura, por vetëm respekt”. Tek “pushteti i të papufiqishmëve”, ai thoshte se “theksi duhet vënë në zhvillimin e një shoqërie qytetare të hapur dhe në rekonstruksionin e shoqatave njerëzore si mekanizma të solidaritetit njerëzor dhe vetëkontrollit, theksi në interesa afatgjata dhe në përmasat shpirtërore dhe morale të politikës – këto të gjitha janë vetëm aspekte ose pasoja të këtij ideali themeltar. Ky, sigurisht, nuk është i komplikuar. Mund ta quajmë atë largim të qenies njerëzore nga rënia vetëshkatërruese e civilizimit”.

    Haveli u pyet shpesh me ironi, se si ishte e mundur, që ai njeri i paqes e kundërshtar i paepur i dhunës, të pranonte bombardimin e Serbisë nga forcat aleate. Ai argumentoi me bindje, se, pikërisht për të mbrojtur paqen i duhej prerë rruga dhunës që ushtronte regjimi i Milosheviçit, dhe ishte i lumtur që kosovarët u kthyen në shtëpitë e tyre vetëm gjashtë muaj pasi u dëbuan, pikërisht për shkak të ndërhyrjes. “

    E ndieja se ndërhyrja do të ishte, shpejt a vonë, e domosdoshme dhe sa më parë të ndërmerrej, aq më pak viktima do të shkaktonte. Politikën e paqësimit e provoi Çekosllovakia dhe pastaj e gjithë bota e njohu vetëvrasjen e saj në gjysmën e shekullit të 20. Ndërhyrja në kohë, e koordinuar mirë dhe e vendosur kundër Hitlerit do t’i kishte kursyer botës miliona viktima”, shkruan ai për këtë temë.

    Ai ishte një nga faktorët kryesorë të shpërbërjes së Traktatit të Varshavës, por edhe një nga mbështetësit këryesorë të NATO-s, me argumentin tjetër se tani bota bipolare ishte përmbysur dhe Europa kishte nevojë për një forcë mbrojtëse.

    Ai ishte për reformimin e OKB-së dhe kundër hegjemonisë së Perëndimit, në një botë që duhet të jetë e barazpeshuar dhe pa arrogancën e asnjë fuqie shtetërore apo grupi shtetesh; ai ishte për barazinë qytetare.

    Ishte një nga ithtarët më të zjarrtë të Europës së Bashkuar, duke ruajtur kulturat e popujve – anëtarë të saj, të zgjerimit me vendet e tjera, midis tyre të  Ballkanit, sepse mendonte si Etërit Themelues, se betejat e përgjakshme që ajo kishte parë me sy, duhet të merrnin fund e duhet të ishin vetëm beteja negociatore në tryeza bisedimesh.

    Ai ishte njeriu që mbështeti rikthimin e pronave të shtetëzuara nga regjimi dhe u kritikua pse familja e tij rimori pronat;  ishte anti-konsumisti më i njohur, por gruan e tij e kritikonin sepse dukej bukur me trukun e saj kur dilte në publik.

    Për shumë vite e sulmuan nga e majta dhe e djathta, të djathtët e kritikonin se ishte i majtë, të majtët se ishte i djathtë, dikush e kritikoi se ishte i pasur, dikush se nuk kishte mirëkuptim për të varfrit, dikush se nuk kishte partinë e tij e dikush se pak e respektonte partinë tjetër e kështu me radhë. Ai reagoi duke duruar, herë duke reaguar e herë jo, sipas kohës dhe kontekstit, por pa i shkelur kurrë parimet e tij.

    Në jetën personale Haveli pësoi humbjen e gruas së parë, Olgës, që vdiq nga një sëmundje e gjatë, pas shumë dekadash sëbashku. Gruaja e tij e dytë, aktorja Dagmar Veskrnova (Dasha), ra pre e dezinformimeve, shpifjeve, thashethemeve, por, nga ana tjetër ajo ishte mbështetje e tij kryesore në dhjetë vitet e fundit, e deri në vdekje.

    Ai ishte një njeri plot dyshime për veten, si çdo intelektual i vërtetë. Në fund, fare pranë vdekjes, ai shkruan:

    Largohem. Vazhdimisht largohem. Me pretekste të ndryshme largohem nga dhoma e punës në Hradeçek dhe shkoj poshtë në kuzhinë, ku pastroj, dëgjoj radion, laj enët, diçka gatuaj, diçka mendoj ose vetëm ulem në vendin tim të dikurshëm dhe vështroj nga dritarja. Në të vërtetë, largohem nga të shkruarit. Por jo vetëm nga kjo. Largohem nga publiku, largohem nga politika, largohem nga njerëzit, ndoshta largohem edhe nga shpëtimtarja ime dhe kryesisht nga vetja ime. Nga se kam frikë? Vështirë të thuhet (…) Përpiqem që gjithnjë të jem i përgatitur për gjyqin e fundit. Për gjyqin, të cilit asgjë nuk mund t’i fshehësh.

     Me këtë, sigurisht, paradokset e mia private nuk mbarojnë, por pikërisht këtu fillojnë. Vetëm sa për të përmendur: zgjodha një jetë shumë të trazuar, jo të qetë dhe vazhdimisht vetë diku shqetësohem e ndërkohë nuk dëshiroj asgjë më shumë sesa qetësinë. Jashtëzakonisht dashuroj harmoninë, rehatin, mirëkuptimin e përgjithshëm, paqen dhe mirëkuptimin e logjikshëm miqësor të të gjithëve me të gjithë,(…). Tensionet, konfliktet, mosmirëkuptimet, paqartësitë dhe konfuzionet i përballoj me shumë vështirësi, por ndërkohë pozita ime në botë gjithmonë ishte dhe deri më tani është shumë kontroverse. Jam në një konfrontim gjithëjetësor me pushtetin (…),

     E megjithatë dhe pavarësisht se e di ç’më pret, nëse do të jetë e nevojshme, do të shkoj përsëri atje dhe përsëri do ta përballoj! (…)

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690