• Shqip
  • English
  • E enjte, 18 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Të gjitha Urban

    Urban, Shën Valentini pajton Metën me Donald Lu


    Nga “Fatorinoja”/

    Nji ditë ke me i thane t’du përgjithmonë
    atij që dashuron at’ ditë.
    E rrugës tone ka me dale bar e hitha,
    flutura e insekte, e paketa cigaresh boshe kanë me hedhë,
    e ditëve n’verë ka me shndrite nji luge drite
    si pellg emocionesh që për oqean e patëm ditë.
    Nji dite micat kane me u lpi,
    mbi dheun që mblon kohën tonë,
    e n’lule t’çilun kane me u pa, e pluhun
    e letra karamelesh, e tapa shishesh fmija kane me gjete.
    Veç ka me mbet, te ti nji kujtese e fikun,
    e pak nostalgji, se nji herë Boten e patëm pa,
    me sy njerëzish plot dashni.

    Mu kujtua ajo shushka që e kisha dashur aq fortë tek po mundohesha t’i vija sipas radhës këto vargjet. Lidha këpucët. Hodha e nga shishja e vjetër e parfumit sot. Parfumin që për inat të saj nuk e përdorja më por më pëlqente shumë për dreq. U krekosa, si rrallëherë mëngjeseve. Nuk kisha arsye për tu krekosur, por duhet një farë vetëbesimi në mëngjes për t’ia dalë me gjithë atë ditë të pafundme.
    E gjeta veten në stacion. Ditë dashurie. Por mëngjesi nuk linte ndonjë shenjë dashurie. Të gjithë veshur për në punë e kokulur. Beftë , më lind një mendim i trishtë: A dashurojnë hallexhinjtë?

    -O ti çuni , shtyhu andej boll me ndenje si statuje ke dera

    Vazhdoja ëndërroja…

    -Ju ka budallepsur dashuria e Facebook juve të sotit , rrini si hunj tek dera! Se nga duhet të futen njerëzit…

    Po përtoja t’i përgjigjesha, isha i drobitur mendërisht. Vendosa kufjet, rruga mu duke e gjatë, por rezistova.

    ***
    Buqeta me lule, djem që turpërisht mbanin në duar lule. Vajzat që krenoheshin që kishin marrë një dhuratë. Eh dashuri për një ditë. Milet i madh në stacion. Mes njerëzve ngjeshem diku.

    -Për këta të rinjtë është Shën Valentini, se në kohën tonë s’kish kështu gjëra.

    I buzëqesha një të moshuare.

    -U pajtuan o Besim, u pajtuan. I vajti sot Lu-ja në zyrë. Pastaj i tha që është burrë i mirë.
    -Ore, nuk është kot ajo shprehja “Ilir Meta, e vërteta”. Me thënë të drejtën unë kisha dëgjuar Skëndero se atë do e arrestonin.
    -Po kush e arreston atë more, i ka futur gjithë njerëzit në punë.

    Dikush tjetër që kishte një muhabet ndryshe nga Shën Valentini.

    -Po Ilir Meta tani kërkon të bëhet kryeministër, Skëndero
    -Jo mo jo, nuk e lë njeri
    -Djali ti, abone apo biletë?
    -Abone, zotëri…

    -Shiko, Xhesi… Shiko sa të bukur ma ka bërë
    -Po në darkë, ku do shkoni mi? Apo…
    -S’më ka thënë gjë, do ma bëjë surprizë më duket.

    Trafiku sa vinte dhe rëndohej. Po ashtu dhe era e parfumit të njerëzve. Lloj- lloj. Më duhej të rezistoja. Dhe ashtu bëra, deri në fund.

    -Ika, Skëndero… Duam apo nuk duam ne, Likja do hajë. Na ka ngrënë, e do hajë. S’ke ça i bën.
    -Dihet ajo dihet, po mendoja se këta amerikanët…

    -Rruga e Elbasanit, hajde zbrisni!

    (E martë, 14 Shkurt 2017)