Te gjitha Urban

Urban, protesta e PD dhe një makiato falas


Nga “Fatorinoja”/

Cërr, cërrr, cërrrr

Telefoni binte pa pushim. Ora 7 e mëngjesit. Alarmin e kisha lënë të zgjohesha pak më vonë. Përgjumësh e hap.

-Alo, urdhëro, kush është…
-Përshëndetje zotëri, ju marrim nga…
-Alo, aloo nga merrni se ikën valët?
-Ne jemi nga Partia Demokratike, ju marrim për protestën. Konfirmoni nëse do merrni pjesë.
-Më fal, po unë nuk jam pjesë e PD-së, ç’punë kam unë me protestën.
-Po ju e keni emrin në listë zotëri.
-Opo nuk kam asnjë lidhje, mos i bini më këtij numri. Nuk më lidh asgjë më partitë politike.

Zëri i ëmbël i folëses përtej telefonit nuk mund të më ulte nervat. Ishte ora 7, dhe… Epo bela, me këta. Gjumi më iku, u detyrova që të dilja herët nga shtëpia. Kufjet në vesh dhe gjatë gjithë rrugës dëgjova muzikën time të preferuar. E dija, dita do ishte PD, protesta, Lulzim Basha, dhunë, paqe, rrëzim, diktaturë, kanabis, tenderë…

***
-Të keqen mami nesër duhet të vish përpara orës 12 në Tiranë, se pastaj nis protesta e kush e di se çfarë bëhet. Aman, të keqen mami. Se ja vriten prapë njerëz.

Njerëzit të frikësuar, e kundërta duhet të ndodhte. Asnjë njeri nuk duhet të ketë frikë nga një protestë. Është gjëja më normale që ndodh në një vend evropian. Upss, evropian ama!

-Jo jo, nesër pas kësaj ore do rrimë në shtëpi. E dëgjove televizorin ti, nuk kemi punë ne me partitë politike.

Zonja dukej shumë e frikësuar, edhe nga llafet e televizorit. Në shumë raste, njerëzit i marrin si të vërteta ato që thuhen në lajme. E donte me patjetër fëmijën në shtëpi.

-Ju lutem lironi derën, e mesit.

Urbani ishte plot, si gjithmonë. Nxënës shkollë, studentë, njerëz që kishin mbaruar punën dhe të moshuar. Mbështetem diku, se shoferi ecte si i çmendur. Ishte vonë me oraret.

-I fortë po del ky Basha, mijëra njerëz do nxjerr në protestë.
-Thanë që do ketë trazira, po nuk i dihet Gëzimo.
-Unë dëgjova djalin, po fliste me një shok ne telefon. I thoshte hajde në protestë të të paguaj. Duan çuna të rinj t’i lenë aty gjithë natën.
-Jo, mo jo… Pse aty do rrinë ë??
-Do ta bëjnë si në Rumani o Benkë. Do e rrëzojmë këtë pushtet, apo jo?. Na mori shpirtin, na i mori.
-Njësoj janë të gjithë, Gëzimo. Si ata si këta. Hajdutë janë të gjithë.
-Do vemi në zyrën e Ramës, po të them ore. Më tha djali, janë bërë të gjitha planet. Lulit i kanë dhënë të gjithë mbështetje, e pe edhe ai amerikani i kishte shkruar. Kishte dalë në video dhe me atë korçarin që shan gjithmonë Ramën. O sa i madh që është.

Një burrë që mezi po mbahej tek dera u bezdis nga fatorinoja, që vetëm pyeste për lekë apo abone.
-Po ta tregova njëherë o komshi, pse bën sikur nuk na njeh. Hajde dil dhe nga lokali të të jap ndonjë makiato.

-O zotëri, nesër hajde dil në protestë pa lëri këta.
-Ik more ti kush të foli ty? Të dal unë në protestë për ata vrasësit, ata hajdutët. Ytt

Burri demokrat filloi të kapej me një qytetar. Gjakrat u nxehën e fatorinos, përveçse të mblidhte lekët i duhej të ndante dhe dy burrat. Kurioz isha për vazhdimin, por më duhej të zbrisja.

(E premte, 17 Shkurt 2017)