Aktualitet

Unioni i prokurorëve: Mos na kërcënoni, sepse në të kundërt…

Unioni i prokurorëve: Mos na kërcënoni, sepse në të

Unioni i Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, ka reaguar duke kërcënuar të gjithë ata që sulmojnë këtë klasë të drejtësisë. Sipas tyre, fjalët që qarkullojnë ndikojnë dhe janë presion i hapur për të gjithë ata që sot përballen me krimin. Sipas tyre opinionet publike janë të rrezishme për: “Ndikimin e vë nën presion prokurorët, për çështje konkrete në hetim dhe me tëj gjykatat për dhënien e një vendimi të drejtë, të paanshëm dhe të marrë në kushtet e pavarësisë nga këto ndikime”, thuhet në deklaratë.

“Në mënyrë të përsëritur dëshirojmë të theksojme se Unioni i Prokurorëve vlerëson, mirëpret dhe inkurajon çdo iniciativë nga cdo qytetar, dhe media audiovizuale, të cilat brenda kuadrit ligjor, kanë për qëllim t’i shërbejnë luftës ndaj fenomenit të korrupsionit, rritjes së besimit të publikut tek organet e ndjekjes penale dhe forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Nga ana tjetër, Unioni shpreh shqetesimin kur konstaton se behen deklarata dhe ndërmerren reagime, të cilat nuk kanë për qëllim të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës, të parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor, por përkundrazi synojnë ushtrimin e ndikimit dhe presionit ndaj prokurorit, për të mos kryer detyrën e tij në zbatim të ligjit. Ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj prokurorit, nga çdo palë, qofshin këto edhe media-audiovizuale, është jo i drejtë dhe i pavend.

Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, jo vetem që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një hap prapa për forcimin e luftës ndaj korrupsionit.

Reforma ne Drejtesi, e mbështetur nga UPRSH, ka si synim kryesor të saj rritjen e pavarësisë së sistemit nga çdo lloj ndërhyrje e padrejtë dhe çdo presioni për punën e prokurorëve, vleresimi i të cilëve do të bëhet në çdo rast nga organet kompetente të krijuara me ligj.

Rritja e pavarësisë se prokurorëve dhe gjyqtarëve, mbrojtja e tyre nga çdo lloj ndikimi i padrejtë gjatë ushtrimit të detyrës, trajtimi dinjitoz dhe kontrolli dhe vlerësimi i punës nga organet e reja të krijuara me ligj, janë pikat kryesore të reformës në drejtësi që është miratuar dhe pritet të zbatohet në të ardhmen e afërt.

Së fundmi, Unioni dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal kundër çdo fenomeni joligjor të vërejtur në punën e përditshme të prokurorëve dhe hetimin e çdo fakti të kallëzuar kriminal, sikurse dhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend”.