Blogu i Rërës Te gjitha

Unë, vajza “e rastësishme” e Simone de Beauvoir


“Seksi i dytë” është një vepër revolucionare, e përmbledhur në frazën e njohur: “Grua nuk lind, bëhesh”. Ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si gratë shihnin njëra-tjetrën. Beauvoir thotë se gjendja femërore nuk është një fatalitet, një vendim hyjnor apo diçka natyrore, por një gjendje historike, sociale dhe ekonomike që mund të ndryshohet.

Në një mbrëmje të vitit 1962 në një restorant të lagjes latine, një studente u ul përpara Simone de Beauvoir duke realizuar kështu ëndrrën për të takuar intelektualen e madhe franceze. “Ishte shumë e ndrojtur, lëvizte në mënyrë nervoze gishtat, ishte strabike dhe i përgjigjej pyetjeve të mia me zë të mbytur”, kujton Beauvoir në “Tout compte fait”, libër që ia dedikoi asaj vajze shumë vite më të re.

Sylvie Le Bon u bë pjesë e çiftit Beauoir-Sartre, dhe pas vdekjes së këtij të fundit ndenji pranë Beauvoir deri në momentin e fundit. Meqë nuk kishte pasur kurrë fëmijë, vendosi ta adoptonte për t’i lënë trashëgim të gjitha të drejtat mbi veprën e saj. Sot, 77-vjeçarja Sulvie Le Bon de Beauvoir, nuk e ka humbur ende ndrojtjen teksa ecën në korridoret e shtëpisë botuese franceze Gallimard, ku sapo ka botuar librin “Album, Simone de Beauvoir”. E nëse Simone tashmë u botua në kolanën prestigjioze “Pleiade” është edhe meritë e saj.

Botimi i Beauvoir në kolanën prestigjioze vjen 40 vite pas Sartrit. A ekziston barazia në letërsi?
Jo, por mund të them se është një progres.

Meritë e rizbulimit të veprës së Beauvoir?
Gjithmonë ka qenë një autore shumë e lexuar, por ndoshta për një kohë të gjatë ka pasur një hezitim për të në ambientet universitare, gjë që tashmë po zhduket.

Dy vëllimet në “Pleiade” përmbledhin vetëm tekste autobiografike. A nuk është një zgjedhje disi e cekët?
Kështu vendosi botuesi. Shpresoj që në këtë kolanë shumë shpejt të përfshihen edhe tregimet apo romanet. Nga ana tjetër është e vërtetë që vokacioni autobiografik ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen si shkrimtare. Me autobiografinë dëshironte të ruante çastin, momentet e vogla, duke ia besuar letërsisë.

Si mund të përkufizohet marrëdhënia juaj?
Si mund të përkufizohet një miqësi, një dashuri? Montaigne thoshte për mikun e tij La Boetie: “Sepse ishte ai, sepse isha unë…”. Kemi qëndruar afër për 26 vite. Ndoshta kishte gjetur te unë marrëdhënien me Zazan, shoqen e fëmijërisë që u nda nga jeta në moshën 21-vjeçare, e vrarë nga ambienti i saj borgjez dhe katolik.

Simone de Beauvoir, Sylvie Le Bon dhe Jean-Paul Sartre
Simone de Beauvoir, Sylvie Le Bon dhe Jean-Paul Sartre

Si reaguat kur Beauvoir ju tha se dëshironte t’ju adoptonte?
Më dukej shumë e çuditshme, nuk kishim aspak një marrëdhënie nënë-bijë. Për të ndjeja një dashuri jo amësore. Kur Sartri vdiq më 1980, vura re sjelljen abuzive të motrës së saj që përpiqej ta largonte nga njerëzit më të dashur. Kuptova se pa një lidhje zyrtare do të mbetesha e çarmatosur, ndaj ndryshova ide. Pranova adoptimin, sepse në atë kohë nuk kishte mënyra të tjera ligjore.

Beauvoir dontë të shkruante një libër mbi seksualitetin femëror. Mund të na zbuloni diçka rreth atij projekti?
Më rrëfeu se dëshironte të fliste me më shumë sinqeritet, gjithmonë me idenë për t’u çliruar nga mitet dhe për të hapur plagë të së vërtetës. Me shumë mundësi do të vinte në pah histori që na i tregojnë për të na zbukuruar, apo për frikërat që na pengojnë të jetojmë. Nisi të shkruante diçka në “Seksi i dytë”, por mendoj se donte ta bënte në një mënyrë më personale.

Në një moment të caktuar, Beauvoir vendosi të hiqte dorë nga seksi. Sa vjeç ishte?
Rreth pesëdhjetë vjeç. Ishte një vendim që kishte të bënte me trupin e saj, duke vendosur të mos kishte më marrëdhënie seksuale. E kemi diskutuar shumë herë, sepse mua më duket herët për të hequr dorë. Por, ishte një zgjedhje intime dhe kurrë nuk kam këmbëngulur.

Ndihej e vjetër?
Sapo mbushi pesëdhjetë vjeç, nisi t’i thoshte Sartrit: “Tani jemi të vjetër”. Miku i saj i rinisë, Merlau-Ponty i kundërpërgjigjej: “Kastor, gjithmonë ke qenë përpara kohe me moshën”. Që kur ishte 13-vjeç Beauvoir mendonte se ishte “e vjetër”. Ndjente sikur po i ikte rinia. Për mua ishte e pakuptimtë. Një grua aq rrezatuese, plot jetë…

Pse e quanit “kastor”?
Kur ishin studentë, miku i saj Rene Maheu shkroi në dërrasën e zezë “Beauvoir=Beaver”, që në anglisht do të thotë kastor. Dhe më pas Maheu shtoi formulën: “Kastorët lëvizin në tufë dhe kanë shpirt konstruktiv.” Që atëherë të gjithë e thërrisnin kastor, edhe unë. Asnjë nuk i thërriste Simone.

“Seksi i dytë” lexohet ende nga të rinjtë. A ju habit ky fakt?
Është një vepër revolucionare, e përmbledhur në frazën e njohur: “Grua nuk lind, bëhesh”. Ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si gratë shihnin njëra-tjetrën. Beauvoir thotë se gjendja femërore nuk është një fatalitet, një vendim hyjnor apo diçka natyrore, por një gjendje historike, sociale dhe ekonomike që mund të ndryshohet.

Çfarë do të thoshte për lëvizjen #MeToo?
Do të përshëndeste faktin që skandali shpërtheu dhe gjërat të thuhen haptazi.

A flisnit bashkë për ngacmimet seksuale?
Sigurisht, është një fenomen i vjetër sa vetë bota. Shumë raste i merrnim vesh nga gratë që Simone i bënte pjesë të gazetës “Temps Moderns”. Vetë ne e kuptonim sa herë dilnim për të bërë shëtitje, madje disa herë edhe hiqnim dorë nga xhiroja./Përktheu Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al