Tech

Unë jam Kristi nga Kashari

Unë jam Kristi nga Kashari

Kristi vjen sot për herë të parë me një histori nga restoranti i Kasharit. Si prezantim të parë 20 vjeçarja, studente për Drejtësi dhe e punësuar si banakiere/kamariere në një restorant në Kashar ndan me lexuesit e tiranapost.al përjetimin e saj që ditën e parë kur vuri përparësen dhe mori një tabaka në dorë. Ajo është një vajzë plot ëndrra dhe me këmbë në tokë njëkohësisht. Çdo të hënë do të vijë me blogun e saj.

Ditën e parë të punës në restorant, qava. Me të mbërritur në vendin e punës, shefi më tregoi kasën, më foli për orarin të cilin do e diskutonim prapë, -se këtu jemi, -tha ai, dhe më dorëzoi uniformën e një përparëse të zezë. Më vonë do e kuptoja se kjo përparëse e zezë e gjatë do ishte arma ime më e fortë për të mbijetuar në një mjedis ku fjala e mirë, një shqipe e folur pastër e një buzëqeshje mikëpritëse që shoqëronte formulat e mirësjelljes, do të më hapnin punë. Klientët hynin dhe dilnin, shefi me familjen e tij të madhe në një pjese të restorantit dhe kerkesat e tyre të njëpasnjëshme ku kërkesa e rradhës anulonte paraardhësen.

Kristi, porosia e 12 gati !- Kristiii, faturën te 5-sa...Kristi, dy raki për ata shoket e mi ! Kristi, ku humbe mi goc’ !....oooh, dhe dy zëra të tjerë brenda meje, njëri me i fuqishëm se tjetri : njëri më qortonte pa rezerva të mblidhja mendjen, të përqëndohesha, të nxitoja, të vrapoja, të punoja më shpejt… ; tjetri më përkëdhelte zemrën që po rrihte me shpejtësi, më qante hallin e më zhyste kokën në mendime

- Ç’po bëja aty ? Si mund të përshtatesha me ta ? Oh, Zot, po sikur diçka të shkonte keq në jetën time dhe të përfundoja gjithë jetën kameriere në shërbim të ca njerëzve që komentet mbi gjithçka dhe këdo, gjyqi i jetëve të të tjerëve, ishte e vetmja gjë që i bënte interesante jetët e tyre ?! E di qe pata frikë, por s’kisha kohë. Pata një moment përgjumjeje. Doja të rigjeja krevatin tim, librin që po lexoja në atë kohë dhe të flija se kur fle mund të shohësh ëndrra që të shpëtojnë nga dita e pamundësive.

Nuk doja të shikoja asnjë, asgjë. Më zgjoi zëri i shefit. Një kërkesë tjetër. Për atë isha aty. I thashë vetes boll, Kristi harroji poezitë dhe planet, boll me drama, në fund të fundit është një punë, s’ka asgjë të keqe. Do marrësh një rrogë të mirë në fund të muajit ; dhe në një vend ku një kryefamiljar merr mesatarisht 200 deri në 300 mijë lekë të vjetra, rroga ime do të ishte mjaft e mirë. Edhe pse ime motër , jashtë shtetit-andej nga i kanë sytë të gjithë shqiptarët- për shumë më pak orë punë se unë, merrte trefishin e rrogës sime, dhe punën e kishte filluar pas dy ditësh trajnimi, i cili i ishte paguar gjithashtu. Për të mos folur për bonuset dhe përqindjen mbi bilancin e muajit…por, Kristi ti je në Shqipëri…dhe s’pata kohë ta çoja më tutje mendimin se m’u desh të pastroja tualetin. Një vajzë e vogël kish kryer nevojat me pakujdesinë e një vajze të vogël. Ehhhh, aty zbulova armën time më të fortë : përparësen e zezë dhe të gjatë. I futa duart akull të ftohta nga sikleti në xhepat e përparëses dhe u ndjeva e mbrojtur. Sikur në kulmin e vapës ku dielli bie pingul në tokë, gjeta një hije. Puna vazhdoi. Pak nga pak mori një ritëm, të cilin nuk do gënjej të them se e përvetësova, por e kuptova se c’më priste. U njoha me arrogancën dhe tekat e kaq shumë burrave të papunë, që dinin vetëm të uleshin dhe të mos çoheshin për 2 -3 orë të mira me preferencat e tyre muzikore që i përshtateshin jetës që bënin; gotat dopio të rakisë të të moshuarve që në pikë të mëngjesit,herë herë kërkonin edhe gotë bosh pasi rakinë e kishin me vete; gratë që ishin shumë vigjilente ndaj meje, si e mbaja tabakanë, kafen kur ua servirja dhe sapo u thoja :'ju bëftë mirë’ dhe bëhesha gati të largohesha për në strofullën time(banakun) ,ato fillonin me pyetjet se kush isha, se pse nuk më kishin fytyrë të parë, ç’mbiemër kisha, nga c’vend isha…e plot diskutime që mbushnin kohën e tyre dhe zbraznin sigurinë time.

Po, ditën e parë të punës, qava. Në tualetin e vendit tim të ri të punës, me duart në xhepat e përparëses, pa bërë zhurmë por me lotë të nxehtë. Qava për fatkeqësinë e bashkëmoshatarëve të mi , për ata si unë, që punojnë pa asnjë siguri për të ardhmen, sot për nesër, për të pasuruar njerëz të tjerë, që ky sistem i ka bijtë e tij. Ndërsa ne, të rinjtë e shekullit të ri, jemi të njerkës. Rrugës së kthimit për në shtëpi reflektova. U mundova të shihja anët pozitive dhe ta merrja veten me të mira, por kjo nuk do te ishte hera e fundit që do të qaja. Dhe jo më për përjetimet e mia tejet të ndjeshme apo emocionet e një vajze si unë, por për ngjarje. Ngjarje që do të ndodhnin të papritura e të cilat do të ma thellonin dëshpërimin. Ngjarje që do më shtynin të takoja editoren e tiranapost.al e t’i kërkoja një dritë të re, ndoshta thjesht një mundësi për t’i ikur të përditshmes time që nuk është e imja por e atyre njerëzve që nuk më ngjajnë por duhet t’ju shërbej. Nesër është dita e 80 e punës në restorant. Numërimi më jep një ndjesi lehtësimi. Takohemi javës tjetër. Deri atëherë numërofshi sa më pak. Nga unë Kristi, një puthje!