• Shqip
  • English
  • E hënë, 16 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Të gjitha YouPost

    Unë e ndala tim atë të më martonte 14 vjeçe. Bëje dhe ti…


    Të jesh grua në Shqipëri sot do të thotë që ti s’mund të jesh e lirë. Një grua gjithmonë i përket dikujt – e bija e… motra e… e dashura e… gruaja e… Duhet të luftosh shumë që të jesh thjesht AJO, e cila i përket vetes dhe askujt tjetër.

    Le të udhëtojmë paksa larg, në një kohë të shkuar ku mendimet dhe veprimet e grave diktoheshin nga filtrat e një mendësie të imponuar, kah paragjykimeve te zbutura. Të ishe grua para disa dekadave në Shqipëri konsiderohej si bekim i kamufluar, gëzimi i së cilit mund të mbërrinte në një kohë të palimitë ose vetë jeta mund të mos ish e mjaftueshme për ta pritur gëzimin e të tillë bekimi. Prezenca e gruas nuk shihej kudo, ndofta me bindjen që disa pozicione në shoqëri konsideroheshin jo aq të “rëndësishme” sa gratë të ishin prezente me fuqi vendimmarrëse. Atë kohë nuk e jetova dot, ndaj më kundërshtoni ju lutem!

    Me fuqinë e realitetit të së tashmes, rikthehem sërish aty ku e nisa udhëtimin në këtë rol, në rolin e një gruaje në realitetin e vetëbindur të zhvilluar, paksa në regres do të thoja. Përflitet për të drejta të barabarta dhe pozicione të panumërta krahasimisht të njëjta me gjininë e kundërt. Me bindje të plotë pohoj që s’kam kundra argumenta të forta për këtë pjesë. Ka gra që karakterin, personalitetin dhe shkollimin e tyre e përdorin për të përzgjedhur një ‘fat’ më të mirë nga paraardhësit e tyre, pra kanë në dorë të “udhëhiqen apo të udhëheqin” në funksion të një ëndrre të afërt apo të largët. Disa syresh zgjedhin të ndjekin, disa të tjerë të ndiqen në kohë e vende me ose pa limite e kufij të vendosur.

    Në Shqipëri shoqëria është vlerësuar si një bashkësi e unifikuar me fuqi vendimmarrëse të pakontestueshme nga ‘fuqitë’ apo mendësitë me nisma individuale apo bashkësish të reja, të lindura falë zbehjes logjikëshëndoshë të asaj egzistuese prej shekujsh me radhë, rrënjët e së cilës vazhdojnë të lartësohen mbi kalbëzimin e tyre. Të ndryshëm në formë por të njëjtë në përmbajtje, gruaja në Shqipëri i nënshtrohet të njëjtave normave dhe ligjeve të miratuara në një realitet që s’na përket më. Megjithatë, mbi të njëjta norma kanuniane vazhdojnë të ndërtohen simotra paralele që udhëheqin gruan shqiptare në këtë përfundim: “Të jesh grua në Shqipëri është si të jesh në mes të një beteje ku jetojnë dy zgjidhje – të bëhesh palë kokëulur me armikun e ashtuquajtur shoqëri ose ta luftosh atë, ku humbja është e fituar gjithsesi”.  Oh jo! Ju lutem mos më thoni që jam pesimiste dhe se nuk e shoh ndryshimin e mbarë që shoqëria jonë po përjeton. Më besoni kur ju them që së pari i ndjej nën lëkurën time e me pas i shoh me sytë e mi. Lërmëni t’ju rrëfej një ndodhi të vërtëtë që më ndoshi para disa ditësh në autobus teksa po lexoja me kërshëri “40 Rregullat e Dashurisë” nga autorja Elif Shafak. Teksa po lexoja, një zonjë e ulur afër meje më pyet nëse isha studente (hamendesim i drejtë mbase). Kur i përgjigjem që kam 5 vite tashmë që e kam përfunduar universitetin, sytë e saj u mbushën me lot dhe ashtu, në prag ngashërimi më thotë: “Ah, sikur dhe vajza ime të kishte përfunduar universitetin. Ajo mësonte shumë, por fatkeqësisht m’u desh ta martoja”.

    Dhe ashtu me nota pendese më thotë: “Do më ngelë peng derisa të vdes” dhe e mbyll bisedën duke më thënë se sa e lumtur ishte kur më pa duke lexuar. Ktheva kokën mënjanë dhe m’u mbushën sytë me lot duke përfytyruar sesa vajza nuk edukohen, familjet e të cilave nuk i lejojnë të ndjekin studimet e larta për një arsye ose tjetër.

     

    Mbylla librin dhe si për dreq para syve m’u shfaq e gjallë biseda që bëra me tim atë kur isha vetëm 14 vjeçe. Jeni kuriozë të dini më shumë rreth asaj bisede? Epo, në rregull atëhere po e ndaj me ju, meqë ndoshta më gjykuat pak më heret për notat lehtësisht pesimistë të realtetit tonë. Sapo kisha përfunduar studimet në shkollën 9-vjeçare dhe me padurim prisja të filloja gjimnazin dhe të mësoja shumë gjëra për jetën dhe botën dhe se si unë të mund të isha një grua e suksesshme si personazhet e librave që lexoja me admirim në kontinentet e afërta dhe të largëta.

     

    Në qytezën time të vogël nuk ishte ‘normale’ që shumë femra të shkonin në gjimnaz, pasi vajzat nuk mund të arrinin më shumë se dy rolet e mamave të tyre; bashkëshorte të devotshme dhe mama të përulura. Bazuar në këtë, para se të regjistrohesha në gjimnaz, im atë më thërret për një bisede vetëm unë dhe ai, ku më thotë që unë nuk do të vazhdoja gjimnazin, por do qëndroja në shtëpi dhe mbase mund të fejohesha, pasi mblesëritë kishin nisur të gëlonin.

    Mbaj mend që pas asaj fjalie të tim eti, libri që po lexoja asokohe (Harry Potter dhe Guri Filozofal) më bie nga dora dhe më mbushën sytë me lot. E pyes tim atë nëse ky ishte vendimi i tij përfundimtar dhe më siguron që po. Mbaj mend që pas asaj përgjigjeje i them vetëm: “Nëse ti nuk më regjistron në gjimnaz, unë do vras veten. Po, po, do vras veten”.

    Mbaj mend që im atë gati sa nuk humbi ndjenjat nga ajo çfarë thashë dhe e ripërsërita disa herë madje. Me të vërtetë mendova më mirë e vdekur se e paedukuar ose më keq, e martuar në një moshë aq të vogël. Kur im atë lexoi vendosmërinë në sytë e mi, kuptoi që nuk po bëja shaka dhe të nesërmen më regjistroi në gjimnaz dhe që prej asaj dite fjalët ‘mblesëri, burrë’ ishin të ndaluara në shtëpinë time. Tani, im atë e tregon me shumë humor këtë ngjarje dhe krenohet me mua, gjë që nuk e imagjinoja atëherë.

    Tani, ju me të drejtë mund të mendoni, por kjo histori pse?

    Do ishte e kotë të thoja që doja të jepja të tillë mesazh: “Kur unë ia dola para 14 vitesh të triumfoja mbi mendësinë e ngushtë, përse vajzat e tjera jo?”. Mbase, sepse asnjë histori nuk i ngjan tjetrës dhe rrethanat në të cilët mund të përsëritet kjo histori nuk janë të favorshme për vajzën. Çfarë dua të them nëpërmjet kësaj historie është të vërtetoj që ka shumë vajza, si unë 14 vjeçe, të etura për edukim dhe dije, por që fatkeqësisht jo të gjitha arrijnë ta prekin atë çfarë për to do mbetet një “Ah, sikur”! Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të tentosh të ndryshosh realitetin tënd ashtu si ti do. Të mos qendrohet kokëulur dhe pranohet fati i vendosur nga një Zot e di kush. Ju lutem, ndihmojini vajzat të edukohen, pasi, siç thotë dhe Michelle Obama: “Nëse fuqizohen vajzat nëpërmjet edukimit, ato mund të mbështetin familjet, komunitetin dhe vendin e tyre”. Nga Elsona Çupi

     

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690