Unaza e Tiranës/ Brenda vitit nis puna tek Sheshi Shqiponja
Punimet tek sheshi "Shqiponja" në kryeqytet që të bëhet e mundur që lidhja direkte e unazës me aksin Tiranë-Durrës do të nisin brenda vitit. Lajmin e dha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Gjiknuri ishte sot i panishëm kur në Unazën e Madhe të Tiranës u hap segmenti i rrugëve lidhëse e ndihmëse nga kryqëzimi me rrugën Komuna e Parisit, ku përfundon segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Re Tiranë-Elbasan dhe vazhdon deri në segmentin tjetër Komuna e Parisit- Shkolla Teknologjike.
“Ky projekt nuk do të përfundojë këtu. Projekti do të vazhdojë deri tek Sheshi "Shqiponja". Brenda këtij viti do të vazhdojmë punimet deri tek Sheshi "Shqiponja" që të bëhet e mundur që lidhja direkte e unazës me aksin Tiranë-Durrës. Do të thotë një lehtësim i madh i trafikut dhe kemi të bëjmë me një nga veprat më madhore të investimeve publike. Janë projekte kryesore dhe fokusi i katër viteve të ardhshme do të jetë përfundimi i rrugëve të nisura, plotësimi i gjithë rrjeteve kryesore, nyjeve kombëtare. Jo hapje rrugësh dokudo që nuk sjellin asnjë rezultat ekonomik apo nuk kanë efekt mbi komunitetin”, tha ministri Gjiknuri. /Tiranapost.al