Aktualitet

Ultimatumi i opozitës: Bojkotojmë zgjedhjet!

Krerët e partive opozitare, nëpërmjet një letre drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, zyrtarizojnë mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 18-qershorit deri në krijimin e një qeverie teknike. Në letrën drejtuar KQZ thuhet se “Ju njoftojmë se kemi vendosur të mos paraqesim kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ dhe rrjedhimisht as si koalicion zgjedhor në shkallë vendi deri në momentin e arritjes së një marrëveshjeje politike që siguron realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, përmes krijimit të një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike.”

Letra është firmosur nga kryetarët e 24 partive opozitare. Përveç anëtarëve të njohur të koalicionit si Fatmir Mediu, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi, letra është firmosur edhe nga ish-aleati i qeverisë Vangjel Dule, nga Sazan Guri dhe Kreshnik Spahiu.

Kjo letër drejtuar KQZ-së bie ndesh me deklarimin e sotëm të Bashës se nuk do të ketë bojkot të zgjedhjeve. 'Sot në KQZ partitë opozitare do të dorëzojnë ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kush i fryn borisë së bojkotit gabohet rëndë. Nuk do të ketë bojkot, do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme', tha Basha sot në mëngjes. Një qëndrim ky shumë kontradiktor i kreut të opozitës, që nuk duket as më shumë dhe as më pak se sa një blof politik. Ndërsa në mëngjes deklaroi se nuk do të ketë bojkot, praktikisht çregjistrimi i partive opozitare nga zgjedhjet konfirmon bojkotin.

“Në këtë rast sjellim në vëmendjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se deri në arritjen e marrëveshjes politike për krijimin e një qeverie teknike me mbështetje të gjerë që mundëson krijimin e kushteve të mësipërme që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri është e pamundur të organizohen dhe realizohen zgjedhje që përmbushin detyrimin e sanksionuar në nenin 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet se “Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira dhe të barabarta” si dhe parimin e përgjithshëm të parashikuar në nenin 3 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet se “Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë." Për pasojë qëndrimi ynë i unifikuar bazohet në nevojën e jashtëzakonshme që ka Shqipëria dhe shqipëtarët për sigurimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare”, shkruhet më tej në letrën e partive opozitare./Tiranapost.al

Foto