Aktualitet

Ulsi Manja: Pranojmë kontrollin, por jo arrestimin e Tahirit. Prokuroria nuk kishte prova

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, deputeti Ulsi Manja tha se socialistët kanë pranuar kërkesën për kontroll banese dhe kontroll personi për Saimir Tahirin, por kanë çmuar se organi i akuzës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin.

“Ishte e natyrshme që do të kishin dy qëndrime, sepse ne si shumicë duam të vërtetën dhe atë e kërkojmë nga drejtësia dhe jo nga opozita, e cila u pa qartë se ka hallin e pushtetit. Ne e pranuam kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimin për kontrollin e banesës dhe kontrollin personal konform rregullave të procedurës penale. Prokuroria është e lirë të vijojë me të gjithë hetimin siç e çmon të nevojshme. Lidhur me kërkesën për autorizimin për arrestimin, ne çmojmë se kërkesa e prokurorisë nuk mbështetej në prova. Prokuroria është e lirë pas vendimmarrjes së Kuvendit dhe ne e inkurajojmë prokurorinë të vazhdojë hetimet, megjithëse ka vetëm 72 orë që e ka nisur këtë hetim. Vetë Saimir Tahiri tha se jam në dispozicion të drejtësisë, nuk kam ndërmend t’i shmangem hetimit dhe do vë ne dispozicion gjithçka”, tha ai.

Megjithëse Ulsi Manja konfirmoi se do të ketë dy qëndrime, ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse ligjërisht është e mundur që kërkesa e prokurorisë të ndahet në dy raporte për Kuvendin, pra ku njëri kërkon arrestimin dhe kontrollin, ndërsa raporti tjetër kërkon vetëm kontrollin e personit dhe kontrollin e banesës./Tiranapost.al