Aktualitet

“Ulen tarifat gjyqësore”, deputeti socialist: Ja çfarë përfitojnë qytetarët nga ligji i ri

Deputeti socialist Alket Hyseni ka sqaruar sot ligjin për tarifat gjyqësore, që u kthye për rishqyrtim nga Presidenti Meta me arsyetimin se ngrinte ndjeshëm çmimet e këtyre tarifave duke vështirësuar eksesin e qytetarëve ne institucionet e drejtësisë.

I ftuar në “Vizion Plus”, Hyseni tha se ligji në tërësinë e tij i ul tarifat gjyqësore dhe shteti ka vënë në dispozicion avokatë cilësorë për konsulencën dhe mbrojtjen e atyre personave që nuk kanë mundësi të paguajnë.

“Është një ligj që në tërësinë e tij sjell ulje të tarifave. Risia e këtij ligji është ligji për ndihmën juridike që i mundëson të gjitha atyre shtresave që nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat, do të kenë mundësi që nëpërmjet klauzolave strikte që të kenë jo vetëm akses falas, por edhe avokat të certifikuar dhe të kontrolluar nga organizmat shtetërorë falas. Tani avokatët do të jenë të kualifikuar dhe të ndarë sipas fushave dhe qytetari mund të zgjedhë nga lista me emra. Kthimi i Presidentit kishte ardhur për shkak të një informacione të munguar të stafit të presidentit”, është shprehur Alket Hyseni.

Për tarifat që janë shtuar, Hyseni tha se është vendosur tarifë për Gjykatën Kushtetuese, sepse ishte rasti i vetëm në botë ku gjykimi në organin më të lartë të drejtësisë ishte falas dhe kjo krijonte mbingarkesë. Por edhe për këtë rast deputeti socialist qartësoi se shtresat e përcaktuara nga ligji do ta përfitojnë falas gjykimin./Tiranapost.al