Aktualitet

UKT për herë të parë me fitim. Veliaj premton investime në Bovillë

UKT për herë të parë me fitim. Veliaj premton investime

Për herë të parë ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë ka dalë me fitim. Këtë e ka deklaruar kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj gjatë analizës vjetore të kësaj ndërrmarjeje në Bovillë.

“Bashkia e Tiranës do të rrisë investimet për modernizimin e rrjetit dhe shërbimin e furnizimit me ujë të qytetarëve, pa rritur çmimin e tij. Një administrim më i mirë i ndërmarrjes e nxorri atë me fitim për herë të parë në 25 vjet. Mund të ketë shumë njerëz që thonë nëse jemi me fitim, pse s’kemi ujë 24 orë? Sepse krahasuar me këtë fitim, investimet e kryera nga UKT janë shumëfishuar. Por, besoj se është lajm i mirë që fitimet i përkthejmë në investime, sigurisht duke ruajtur çmimin e ujit që kemi sot”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se furnizimi me ujë është dyfishuar krahasuar me një vit e gjysmë më parë dhe se Bashkia po sheh mundësitë e bashkëpunimit me sektorin privat. “Për 500 mijë banorë, gjendja e ujit sot në çezmat e tyre është si dita me natën. Një qytet që kishte 7 deri në 8 orë ujë, sot ka 14-15 orë ujë. Është gjë shumë e mirë, por ende shumë larg ambicies sonë për 24 orë ujë në ditë”, tha ai.

Kryetari Veliaj deklaroi se 1/3 e ujit të pijshëm që rrjedh nga Bovilla humbet teksa kalon nëpër zonën e Kamzës dhe të Paskuqanit. Për këtë arsye, ai i bëri thirrje kreut të Bashkisë Kamëz që të bashkëpunojë për të zgjidhur këtë problematikë. “Pjesa më e madhe e humbjeve për Tiranën ndodh në momentin kur uji nga Bovilla shkon drejt Tiranës dhe kthehet në një kulluese makaronash teksa kalon në Kamëz dhe në Paskuqan. Kjo do bashkëpunim. Ndaj i bëj thirrje publike kryetarit të bashkisë, që marrja e pesë votave më shumë nga njerëzit që abuzojnë me ujin nuk është politikë afatgjatë.”

Ai foli edhe për leximin elektronik të matësve si një siguri më shumë për të gjitha palët. “Sot, leximi elektronik i faturës, jo vetëm e ka bërë Ujësjellësin më të ndershëm, por i ka dhënë garanci çdo qytetari që të ketë mundësi të verifikojë skedën e vet”

Veliaj shtoi se në kuadër të Planit të Përgjithshëm Vendor është e nevojshme që të realizohet një masterplan edhe për ujin, në mënyrë që të përcaktohen zonat se ku duhet të jenë investimet më të mëdha për të shmangur çdo investim të gabuar. Veliaj deklaroi se do të shtohen investimet në Bovillë, duke rritur edhe kapacitetin e saj. “Një nga investimet më imediate që do të bëjë Bashkia është ajo në impiantin e Bovillës, e cila do rrisë kapacitetin e furnizimit me ujë të Tiranës me afro 30%”, përfundoi Veliaj.