Aktualitet

Udhëkryqi i ri i Ballkanit!

Alfred Peza/ Në Ballkan po konsumohet akti i fundit i dilemës së madhe Shekspiriane, në udhëtimin e tij historik mes të shkuarës dhe të ardhmes. Mes lindjes dhe perëndimit. Mes paqes dhe luftës. Mes autokracisë dhe demokracisë.

Mes nacionalizimit dhe integrimit. Mes orientimit euro-atlantik dhe atij pro rus. Kjo shihet dhe nga zhvillimet e fundit në Rajon. Aleksander Vuçiç sot gjatë ceremonisë si Presidenti i ri i Serbisë, u betua se "të gjitha forcat do t'ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe terezisë territoriale të Republikës se Serbisë, përfshirë edhe Kosovën e Metohinë si pjesë përbërëse të saj...".

Megjithëse kanë kaluar 18 vjet nga çlirimi i Kosovës, ai vazhdon dhe sheh ëndrra në fund të dekadës së dytë të shekullit të XXI, me fantazmat nacionaliste të shekullit te kaluar. Ironia është, se brenda formulës së betimit, njeriu që noton mes Moskës dhe Brukselit, tha se ai do të punojë për "ruajtjen e paqes".

Ndërkohë që sot, në Maqedoni pritet të mbyllet debati 48 orësh për votimin e qeverisë së re të Kryeministrit Zoran Zaev.

Një seance që drejtohet nga Talat Xhaferri, i cili ka hyrë në histori si shqiptari i parë që është zgjedhur Kryetar i Parlamentit në Shkup.

Shqiptarët do kenë në qeverinë re 2 zv. Kryeministra dhe ministrat e Marrëdhënieve me komunitetet, Integrimit Evropian, të Drejtësisë, Ekonomisë, Ambientit, Shëndetësisë, Pushtetit Vendor dhe ministër pa protofol. Çelja e këtij debati në Parlamentin maqedonas, u bë në gjuhën shqipe...

Më 5 qershor, NATO do të hapi zyrtarisht dyert për Malin e Zi, që bëhet anëtarja e 29 e aleancës veri-atlantike. Ndërkohë që me 11 qershor Kosova mban zgjedhjet e parakohshme dhe do të ketë Kryeministrin dhe qeverinë e re.

Ndërsa dy javë me pas, në Shqipëri, zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të radhës. Pas miratimit edhe të Vettingut, Shqipëria pret brenda këtij viti çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Ballkani ndodhet në udhëkryq. Shqiptaret kudo që jetojnë në Rajon, kanë momentin më të mirë në historinë e tyre të re, për ta orientuar trenin ballkanik, drejt Brukselit. Nuk e kemi luksin qe ta humbim këtë shans. Duke perifrazuar një fjali të Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në Tirane: Time is now!