Lajme nga Bota

U zhyt në ujë për të raportuar mbi përmbytjet, gazetari pakistanez “ndez” rrjetin

U zhyt në ujë për të raportuar mbi përmbytjet, gazetari

Gazetari pakistanez që raportoi ‘live’ nga një zonë e përmbytur, me ujin që i arrinte deri në qafë, ka ndezur debate. Azadar Hussain, po raportonte për përmbytjet në një rajon në pakistanin qendror, për një kanal lokal lajmesh.

Duke kaluar linjën tek gazetari, prezantuesi i televizionit në studio tha se ai ishte zhytur në ujë për të shpjeguar vështirësinë me të cilën është përballur popullata lokale.

Vetëm koka dhe mikrofoni i tij, qëndronin mbi ujë. Vetë gazetari shpjegonte se uji nga lumi indus, kishte mbuluar mijëra hektarë tokë bujqësore dhe se tani kërcënonte zonat e banuara.

Por, reagimet në median sociale ndaj këtij raportimi, ishin të përziera. Disa flisnin për sigurinë e rrezikuar të gazetarit, të tjerë thonin se ai kish demonstruar situatat e rrezikshme në të cilat disa kompani mediatike i përfshinin gazetarët e tyre.

Por, disa gazetarë të tjerë pakistanezë ndaleshin tek ana serioze e çështjes. Kjo sipas tyre, tregon shumë për mënyrën se si kompanitë mediatike trajtojnë stafin e tyre, veçanërisht reporterët që punojnë në zonat e thella.

Në Pakistan, është kulmi i sezonit të musonëve dhe moti me shi pritet të vazhdojë edhe ditët në vijim, ndërkohë që kanë shkaktuar 71 të mbytur. /Tiranapost.al/