Aktualitet Te gjitha

U zgjodh sot në KED. Kush është Besnik Imeraj, gjyqtari që kundërshtoi i pari Vettingun


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një ndër institucionet e reja që është krijuar rishtazi në kuadër të reformës në drejtësi. Sot u zgjodhën edhe anëtarët e këtij institucioni, nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe gjykatave të apelit.

Nga Gjykata Kushtetuese u zgjodh Besnik Imeraj, një emër jo i panjohur për opinionin publik. Përveçse ka gjykuar dosjen e Lulzim Bashës për aferën me rrugën Durrës-Kukës në kohën kur ishte Ministër i Transporteve dhe atë të Ilir Metës, pas video-përgjimit të Dritan Priftit, zoti Imeraj ka qenë edhe “violina e parë” kundër procesit të Vettingut.

Ai ka qenë ndër të parët që ka zvarritur procesin e Vettingut duke kërkuar që ta shqyrtonte Komisioni i Venecias. Kujtojmë se kjo vetëm sa shtyu në kohë miratimin e reformës në drejtësi, pasi Komisioni i Venecias nuk bëri asnjë ndryshim në formulimin e saj.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do shqyrtojë dhe mandej do rendisë kandidatët sipas meritës profesionale. Anëtarët e KED, do kenë një mandat një vjeçar, dhe selia e tyre do të jetë në ambientet e Gjykatës së Lartë.

Megjithëse një institucion i ri, siç duket Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të funksionojë sërish me emra të vjetër të drejtësisë shqiptare. Besnik Imeraj është prej vitit 1977 në organet e drejtësisë. Ai ka qenë gjyqtar në Apelin e Durrësit, e më pas anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas tetë viteve në Gjykatën e Lartë, Imeraj u emërua në vitin 2013 në Gjykatën Kushtetuese./Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *