• Shqip
  • English
  • E diel, 15 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Tulipanët e tetorit që na hapën sytë


    Në tetor mund të gjesh tulipanë e t’i dhurosh sepse janë në muajin e tyre më të mirë, në po këtë muaj mund të vendosësh një fjongo rozë në solidaritet me luftën ndaj kancerit të gjirit. Janë edhe ditëlindjet e peshoreve, por e re për këtë tetor në Tiranapost.al është diçka tjetër, jo që nuk e dini.

    Nga sot AMA ka ndërprerë përfundimisht transmetimet analoge. Qytetarët që duhet të ndjekin televizionet do të duhet të blejnë një pajisje që quhet DVB-T2.

    Me gjasë shumë do e blejnë, sepse televizioni shihet ende si shoqërues i mirë, si nevojë për të mësuar çfarë ndodh në botë, çfarë ndodh jashtë shtëpisë tënde, ndonjëherë mëson edhe për vetë shtëpinë tënde gjëra që s’i ke dëgjuar e as parë në ëndërr. Një pjesë të kësaj pritshmërie nuk është se nuk e përmbush, të jep ëndrrën dhe realitetin sipas logos. Sot për sot televizionin në Shqipëri është mëkat ta paguash si shërbim.

    Pse të paguash për të mbushur kokën me kashtë e krunde?

    Pse të shohësh sesi inteligjenca nuk shet më, por ka zënë cepat?

    Pse të kapësh pultin, kur në darkë do lundrosh në të njëjtat debate me të njëjtat kafka që ti e di çfarë do thonë edhe herën e ardhshme?

    Televizioni nuk ka më surprizë përveç leximit të sms-ve që vijnë nga jashtë e që lexohen edhe të pakonfirmuara live, siç postohet me papërgjegjshmëri në portale, ndodh edhe atje ku duhet të prodhohet e kundërta e nxitimit, mendimi.

    Gjatë dy viteve e gjysmë në Tiranapost.al kemi ndjekur me lupë debatet, edicionet, kemi zbardhur në tekste sherre, batuta, dialogje, monologje, gënjeshtra, mllefe, dhe sidomos kemi ushqyer (me dëshirën për informacion) lexuesin me urrejtje dhe papërgjegjshmëri.

    Nuk është faji i shoqërisë sot që banaliteti i duket model gazetarie dhe stil jetese.

    Nuk është faji as i Edi Ramës, as i Lulzim Bashës, as i Nard Ndokës që lexuesit u imunizuan nga skandalet. Ne e kemi mbushur kupën e derdhur me qindra lajme të panevojshme: habit deputetja, përgjigjja epike e moderatorit, ja sms-ja që i erdhi live… përplasen dy miza në studio… një analist fundor mendon se…

    Kujt i duhet mendimi i cave, kujt i duhet kaq shumë mbi-informim dhe kaq pak njohuri?!

    Të paktën ne, kemi bërë kthesë dhe kemi vendosur të mos heqim dorë nga vrojtimi, por lajmet do të postohen veç kur të jenë të tilla. Të gjithë kemi në dorë të ulim pak nga doza e urrejtjes dhe sidomos e injorancës.

    Sa për këtë pajisjen DVB-T2? Nuk është e domosdoshme, por secili e di vetë. Me ato lekë, më mirë shkoj e blej një tufë tulipanësh.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post