SPORT

Tronditet skuadra kampione, policia vieneze ndalon trajnerin dhe lojtarët e Kukësit

Tronditet klubi i Kukësit dhe futbolli shqiptar. Një pjesë e skuadrës kampione është ndaluar dje gjatë mbrëmjes nga policia në Vjenë dhe është marrë në pyetje për orë të tëra.

Shkak për ndalimin e lojtarëve janë bërë dyshimet për trukim të disa ndeshjeve miqësore që Kukësi ka zhvilluar atje.

Mësohet se situata e djeshme ka krijuar shqetësim dhe panik në ambientet e klubit kampion në fuqi të Shqipërisë dhe ka vënë në siklet të madh edhe futbollistët para ndeshjes së Champions-it kundër Sherif Tiraspolit më 12 korrik.

“Panorama Sport” thotë se së bashku me lojtarët është marrë në polici edhe trajneri Ernest Gjoka.

Ndërsa lojtarët e ndaluar janë: portierët Enea Koliçi dhe Ervis Koci. Të tjerët janë Ylli Shameti, Albert Serran, Rustem Hoxha, Hair Zeqiri dhe Simon Rrumbullaku.

Pasi kanë qëndruar për më shumë se tre orë në komisariat, lojtarët janë lënë të lirë rreth orës 00:45./ E.D/ Copyright Tiranapost.al