Art dhe Kulturë

Tre tenorë dhe një soprano në Pallatin e Kongreseve, që vjeshta në Tiranë të të shkojë në shpirt

Tre tenorë dhe një soprano në Pallatin e Kongreseve, që

Ne jemi mësuar që tre tenorët të na sjellin shije Krishtlindjesh, por këtë vit ky koncert do jetë në vjeshtë dhe sa mirë. Një koncert më shumë për shpirtin dhe ata që do mbeten përjetësisht adhurues të klasikes, sado pop dhe rep të dëgjojnë gjatë verës. Tetorin do ta festojnë me tre tenorët e përvitshëm. "Tre Tenorët” do të vijë këtë vit në një bashkëpunim të posaçëm mes tenorëve të njohur botërorë dhe sopranos shqiptare, Ramona Tullumani. Ata janë ftuar të performojnë në skenën e Pallatit të Kongreseve, më 7 tetor 2018, ora 19:00.

I organizuar nga producenti Edmond Tullumani, koncerti i përvitshëm do të sjellë për shikuesit e shumtë shqiptarë pjesët më të bukura të muzikës klasike botërore dhe perlat e krijimtarisë shqiptare. Murat Karahan, Francesco Anile dhe Sebastian Ferrada do të përbëjnë buqetën e zërave të përzgjedhur për publikun shqiptar.

Krahas tre tenorëve, në skenën e spektaklit do të ngjitet soprano Ramona Tullumani me një seri interpretimesh të pjesëve të famshme të muzikës klasike, si dhe pianisti i mirënjohur, Genc Tukiçi. Orkestra do të drejtohet nga dirigjenti italian, Leonardo Quadrini.

Koncerti “Tre Tenorët” do të jetë këtë vit në edicionin 17-të dhe në skenën e këtij spektakli janë ngjitur deri më tani tenorët më të shquar shqiptarë, si Gaqo Cako, Josif Gjipali, Agim Hushi, Kastriot Tusha, Adrian Xhema, Armaldo Kllogjeri, Ramë Lahaj, etj, si dhe dhjetra tenorë të huaj. Soprano italiane Katia Ricciareli ka qenë gjithashtu ndër të ftuarat speciale të koncertit. Në edicionet e shkuar, “Tre Tenorët” kanë sjellë në skenën shqiptare edhe bashkëpunime të posaçme me tenorët amerikanë, rusë, italianë, etj./Tiranapost.al

[caption id="attachment_283034" align="aligncenter" width="720"]Momente nga provat gjenerale në Pallatin e Kongreseve. Momente nga provat gjenerale në Pallatin e Kongreseve.[/caption]