Aktualitet

Trafiku, ose sa e vështirë të jesh qytetar i thjeshtë në Tiranë!

Trafiku, ose sa e vështirë të jesh qytetar i thjeshtë

Nga Klementin Mile/ Bëra një eksperiment: nuk ndoqa asnjë edicion lajmesh dhe asnjë emision të tipit debat këtë javë. Po ashtu, i shmanga vizitat në rrjetet sociale dhe bisedat me njerëz që mund të më informonin për ngjarjet e rëndësishme që kishin ndodhur në vend. Vendosa, pra, t’i shmang të gjitha strukturat dhe aktorët që vendosin çka përbën ngjarje e që, rrjedhimisht, meriton të përcillet si lajm. Bëra atë që rekomandonte Adorno, filozof i shquar i Shkollës së Frankfurtit, te vepra e tij “Minima Moralia” – i shmanga dogmat dhe u afrova pranë gjërave konkrete të jetës, për t’i përjetuar direkt, pa udhëzim, teorizim dhe manipulim prej ndonjë autoriteti. Në këtë mënyrë, po të shprehem me termat e Adornos, iu largova dogmata-s dhe preka pragmata-n.

Bëra atë që mendoj se, herë pas here, duhet ta bëjë çdo qytetar i thjeshtë: të largohet nga ndikimi i mediave, politikanëve dhe opinionbërësve që vendosin agjendën e çështjeve me rëndësi publike dhe të zbulojë vetë, në bazë të përvojës pragmatike me gjërat e realitetit të përditshëm, se cilat janë problemet reale. Ky eksperiment më ndihmoi të kuptoj që për mua, si banor i qytetit të Tiranës, problemi kryesor është ai që thuajse nuk përmendet fare në media: trafiku.

Fakti që kryetari i bashkisë, Veliaj, e konsideron normal trafikun në kryeqytet dhe e paralelizon Tiranën me Tokion dhe Nju Jorkun, nuk më ndihmon aspak që të arrij në orarin e duhur në punë. Kam një abone autobusi të cilën nuk po arrij ta përdor as në mëngjes, kur shkoj në punë, as mbasdite, kur vij nga puna. Kam provuar të eci, si këmbësor, dhe kam vënë re që shpejtësia ime është më e madhe se ajo e autobusave dhe makinave, pa harxhuar asnjë pikë karburant. Kam vënë re gjithashtu se nuk mund të krahasohem me biçiklistët, të cilët duket të jenë të vetmit, edhe pse shumë të paktë në numër, që nuk i shqetëson trafiku. Ata madje po mrekullohen prej bojës së derdhur gjithandej nëpër rrugët e kryeqytetit, duke i krijuar hapësira e korsi një minoriteti absolut, aq sa do i kishte zili çdo liberal-demokrat.

Ndërsa eci çdo ditë për të shkuar në punë dhe lë pas autobusa e mjete të tjera, më shkon mendja te dy kategori mjetesh të ndryshme që ofrojnë shërbim në kryeqytet: taksitë dhe ambulancat. Kam patur rastin t’i provoj të dyja në kushtet e trafikut të Tiranës. Për fat të mirë, fakti që ambulanca u vonua 20 minuta gjatë rrugës për të arritur në destinacion, nuk rezultoi me pasoja fatale për shëndetin. Sa për taksitë, kuptova që kisha paguar kot gjithë ato para, pasi në këmbë do kisha arritur më shpejt.

Është e vështirë të jesh qytetar i zakonshëm në kryeqytetin e sotëm të qeverisur nga Veliaj, i cili fillimisht duhet ta pranojë si problem trafikun e Tiranës, që pastaj të shpresojmë se do mundohet ta zgjidhë. Në vend të zgjidhjes, pres të më shfaqet para syve tek eci ndonjë polic bashkie me biçikletë. I këndshëm, fotozhenik dhe aspak efektiv. Dhe pastaj do të më kujtohen fjalët e liderit të dikurshëm të Partisë Laburiste angleze, Neil Kinnock, që paralajmëroi anglezët se ç’do të ndodhte po t’i jepnin votën Margaret Thatcherit: “Po fitoi Margaret Thatcher të enjten, ju paralajmëroj të mos jeni të zakonshëm. Ju paralajmëroj të mos jeni të rinj. Ju paralajmëroj të mos sëmureni. Dhe ju paralajmëroj të mos moshoheni”./ Marrë nga MAPO