Aktualitet

Topalli: Pse nuk e desha kurrë Bashën, që kur zbriti këmbën nga avioni

Jozefina Topalli nuk ka qenë asnjëherë dakord me zgjedhjen e Lulzim Bashës si Kryetar i PD-së. Ka qenë vetë ish-Kryeparlamentarja që ka sqaruar rezervat që ajo ka pasur ndaj Bashës, siç tha ajo, që ditën që ai ka zbritur nga avioni.

Dhe këtë gjë, ajo theksoi se ia ka thënë privatisht edhe Bashës, edhe sa herë ajo është pyetur në publik për këtë gjë.

Madje ajo nënvizoi se ka vënë në dijeni edhe ish-Kryeministrin Sali Berisha.

“Që në ditën e parë që ka zbritur nga avioni Lulzim Basha, nuk kam qenë dakord. Pse nuk e dija unë? Ia kam thënë privatisht, e kam thënë publikisht se kam dallime të mëdha me Lulzim Bashën. Kam pasur gjithmonë rezerva ndaj Bashës dhe këtë e kam shprehur gjithmonë. Ndaj sot jam krenare që jam këtu, që nuk jam në atë listë. Ia kam thënë të gjitha zotit Berisha. Do ftojmë çdo demokrat, çdo të ri, që është i irrituar nga këto aleanca.” tha Topalli në një konferencë të përbashkët për mediat me Arben Imamin.

Që të dy, janë lënë jashtë nga lista e kandidatëve për deputetë nga Basha, dhe për këtë fakt ndaj kreut të PD-së ka pasur kritika dhe reagime të ashpra. E.C/Copyright Tiranapost.al