Aktualitet

Top Channel në selinë e PD. Dëgjoni kush e përgatiti kronikën e sotme në lajmet e orës 15:00

Të enjten që shkoi, portalet, i pari Panorama dhe më pas të gjithë më radhë, përfshi Tiranapost.al, postuan lajmin se një tjetër gazetare largohej nga Top Channel.

Elona Meço, gazetarja që ka mbuluar gjithmonë PD-në, iu bashkua edhe zyrtarisht selisë blu. Mediat raportuan se gazetarja e Top Channel do të mbajë postin e drejtimit të Zyrës së Shtypit në PD.

Lajmi, edhe pse jo zyrtar nga PD-ja, nuk u përgënjeshtrua nga asnjëra palë, plus që ishte nga burime serioze. Meço është një nga gazetaret politike të spikatura. Ajo vetë, asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë dhe pasionin për PD-në, liderin historik Sali Berisha.

Ndaj zgjedhja e kreut aktual Lulzim Basha u pa me pozitivitet, si ndoshta nga të paktat vendime me mend gjatë kësaj kohe. Kaq për lajmin e postit të ri të gazetares së Top Channel.  Shqetësimi ynë është tjetërkund. Që pas këtij lajmi gazetarja vijon të prodhojë lajmin politik në redaksinë e Top Channel.

Nëse dëgjoni konkretisht kronikën e ditës së sotme, që po e hedhim edhe nga Tiranapost.al, do të kuptoni që drejtoresha e Zyrës së Komunikimit në Selinë e PD-së, Elona Meço, vijon të bëjë lajmet politike nga spektri i djathtë në televizionin kombëtar Top Channel.

Zëri që lexon tekstin është i gazetares Elona Meço

Me siguri duhet të ketë kushte të kontratës, që detyrojnë gazetaren në afate kohore me punëdhënësin e Top Channel, por nga ana tjetër, publiku pret të informohet me paanshmëri dhe në këtë rast pozitat e televizionit kombëtar janë në dyshim, me apo pa dashje.

Dakord, Elona gjithmonë ka qenë gazetare e selisë blu dhe nuk i ka fshehur kurrë bindjet e saj, por kush nuk i ka?! Çështja është se kur lajmet bëhen zyrtarisht nga drejtoresha e shtypit të PD-së, atëherë ky nuk është vetëm shqetësim por edhe më shumë.

Mediat sot akuzohen se kontrollohen nga segmente të ndryshme të politikës dhe pushtetit, por deri në redaksinë e lajmeve dhe pikat e montazhit, askush nuk kishte guxuar./tiranapost.al

Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]