Aktualitet Kryesore Opinion Te gjitha

Top Channel ndryshon timonin, pa Kolin


Mira Kazhani/Sot, “Newsbomb.al”, i drejtuar nga gazetarja Anila Basha, informoi i pari lajmin e largimit te Sokol Ballës si drejtor i informacionit. Sokol Balla është prej vitit 2005 në Top Channel. Ai ka drejtuar dy herë dhomën e lajmeve, ku së fundmi  u rikthye në detyrë nga pronarja Vjollca Hoxha, menjëherë pasi ajo mori nën drejtim të plotë televizionin.

Largimi i gazetarit Sokol Balla shihet qartë si një nevojë për ndryshim të linjës editoriale. Drejtorët e lajmeve në asnjë televizion nuk ikin për çështje humori apo tekash: Janë ose profesionale ose linjë e re editoriale. Në rastin e Ballës profesionist, këtë nuk ia mohon dot askush.

Bindshëm,  largimi i drejtorit është mesazh se Top Channel ka vendosur të ketë një linjë të re mbi lajmet. Fundja, siç bën Klan, e ka bërë gjithmonë. Siç bën Vizion Plus e ka bërë gjithmonë, siç bëjnë Irfani dhe Bollino. Media ka qenë dhe do mbetet një biznes si gjithë të tjerët, vetëm se sot kjo po bëhet më e dukshme, më transparente. A është çështje kazani apo sistemi, kjo nuk mbyllet me një fjali dhe i përket një diskutimi tjetër të radhës, ndoshta pas 50 vjetësh. Këtë do ta tregojë koha. Ajo çka na dëshmon a rrëfen realiteti sot, është dualiteti mes gazetarëve të mëdhenj dhe pronarëve. Kush është më i fortë, Fevziu apo Sandri? Sokoli apo Vjollca?

A është e vërtetë se gazetarët janë rrezik kërcënues për pronarët e tyre, me lidhjet, miqësitë, favoret, kronikat, reportazhet, kafet dhe drekat e tyre me politikanët lart, nga të cilët varet sot çdo media? Jo vetëm në Shqipëri por si në Britani, si në Amerikë, Europë, Katalonjë, Meksikë, Bolivi… media është pushtet i katërt. Asnjëherë nuk ka qenë e nuk do të jetë e pavarur, sikundër nuk ekzistojnë individë të pavarur. Një fildispanjë e hollë na ndan të gjithëve nga njëri-tjetri, siç ndahen flokët e vajzave. A po bëhemi ne gazetarët pronarë apo pronarët gazetarë? Kësaj hajde t’ia gjesh fillin! Për sot, një gjë është e sigurt: Top Channel ndryshon timon. Klan e ndryshon herë pas here dhe asgjë e keqe nuk i ka ardhur prej kësaj. Vizion, që nuk e ndryshon kurrë, maksimumi ndonjë vonesë pagash, por asnjëherë i dëmshëm për publikun! The show must go on!/Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *