Aktualitet

Tirana sapo theu rekordin e mbjelljes së 100 mijë pemëve

Tirana mbolli pemën e 100 mijtë. Sot është Dita Botërore e Pyjeve, dhe kjo ditë shënon mbjelljen e  pemës së fundit dhe krijimin e gjurmës për Pyllin Orbital, por sipas kryebashkiakut Veliaj për shkak të kërkesës së madhe të donatorëve mbjellja e pemëve mund të vazhdojë edhe disa ditë.

Kryebashkiaku theksoi se për shkak të interesit të madh të kompanive dhe qytetarëve që duan t’i dhurojnë pemë qytetit, Bashkia e Tiranës po vlerëson shtyrjen e këtij aksioni mbjelljesh edhe me një muaj tjetër.

Duke qenë se kemi mbi 100 subjekte dhe mbi 1 mijë individë që janë ende në listë pritje për të dhuruar pemë, po mendojmë ta shtyjmë me disa ditë afatin dhe fushatën e mbjelljeve. Kështu, nesër pasi të bëjmë një bilanc të 100 mijë pemëve, do të deklarojmë datën e fushatës së re”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, dhe përfaqësues të kompanive Glob, Telekom Albania, Raiffeisen Bank, SHPAR, EHË, mbollën edhe 800 pemë të tjera në Mjull-Bathore. /Tiranapost.al