Aktualitet

Tirana e pastër, zgjidhjet janë dy: Ose autobusë elektrikë, ose përdorimi i biçikletave

Nëse operatorët ekzistues të transportit publik në Tiranë apo edhe kompanitë e huaja nuk ofrohen për të sjellë autobusë elektrik, atëherë Bashkia e Tiranës do të ketë një kompani publike të vetën, që do ta ofrojë këtë standard.

Deklarata është bërë nga kreu i Bashkisë, Erion Veliaj ndërsa merrte pjesë në Konferencën e OKB-së, pasi Tirana ishte marë si shembull i suksesshëm i zbatimit të projekteve miqësore me mjedisin.

Ky është një apel për kompanitë që nuk ofrojnë shërbime në Tiranë, nëse kanë autobusë elektrikë qoftë me qira apo në pronësi dhe duan të vijnë të marrin një licencë në qytetin e Tiranës, ne automatikisht do t’i japim prioritet dikujt që sjell autobusë elektrikë krahasuar me dikë që ka autobusë me naftë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

I pari i Tiranës po ashtu i mëshon fort edhe lëvizjes me biçikleta. Sipas tij do të rriten investimet për shtimin e korsive të dedikuara për biçikleta.

Duke filluar nga viti tjetër do të kemi një pushtim të qytetit me korsi biçikletash, me sinjalistikë vertikale, do të vijnë 2 mijë biçikletat e para në mars dhe 2 mijë të tjera në prill për t’u siguruar që në gjithë qytetin kemi një mundësi me një kosto më të ulet se çmimi i biletës së autobusit, për të përdorur për 1 orë biçikletën nga një cep i Tiranës te cepi tjetër. Besoj që me të gjithë këtë paketë jemi sot një nga qytetet jo vetëm më të pastra nga ana e ndotjes, por edhe qyteti më avangard për sa i përket ruajtjes së mjedisit dhe përdorimit të një transporti efiçent”, u shpreh Veliaj. /g.f/tiranapost.al

Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]