• Shqip
  • English
  • E enjte, 17 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • My Tirana Të gjitha

    Tirana dhe Sarajeva së shpejti bashkëpunim për menaxhimin e mbetjeve dhe transportin publik


    Tirana dhe Sarajeva nisin një bashkëpunim të ri për të transformuar mënyrën sesi funksionojnë dy qytetet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim një delegacion të kryesuar nga kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Edin Forto, me të cilin diskutoi rreth ndarjes së eksperiencave të suksesshme në të dyja qytetet dhe sfidat e së ardhmes.

    “Miku im Edin Forto dhe skuadra e tij na parashtroi disa ide ku mund të bashkëpunojmë: në çështje të menaxhimit të mbetjeve, siç kemi bërë në Tiranë me mbylljen e landfillit dhe transformatorin e energjisë, në çështje të transportit publik, edhe transformimin që po bëjmë në transportin publik elektrik. Ne duhet të gjejmë se çfarë gjërash kanë funksionuar në Tiranë ose në Sarajevë, që janë me kosto të ulët, e që janë ndoshta shumë afër mentalitetit tonë për të transformuar mënyrën sesi funksionojnë qytetet tona”, deklaroi kreu i Bashkisë, Erion Veliaj.

    Kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Edin Forto shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të intensifikohet më tej në shumë fusha të ndryshme.

    “Zbuluam se kemi shumë sfida të përbashkëta në transformimin e qyteteve. Të ndajmë të njëjtat probleme është një gjë, por të bëhemi miq, dhe ta bëjmë këtë gjë bashkë, është akoma dhe më mirë. Kështu që, shpresoj se ky bashkëpunim do të zgjerohet më tej, ne do të nisim fillimisht me kulturën, sportin, dhe edukimin, çka është më e lehtë për t’u bërë, por do të diskutojmë për projekte të mëdha infrastrukturore, siç janë landfillet, transporti publik, dhe çështje të tjera. Ndihemi sikur jemi në shtëpi”, deklaroi Edin Forto.

    Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi kryeministrit të Kantonit të Sarajevës, Edin Forto “Kullën e Sahatit”./ Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]