Sekretet e Ildës

E vendose, do blesh shtëpi? Ok, tani m’i dëgjo dy këshilla e pastaj vepro

E vendose, do blesh shtëpi? Ok, tani m’i dëgjo dy këshilla

Kur ne nuk vendosim dot për të blerë një palë këpucë, një perde të re apo një peshk të kuq në akuarium, imagjino si ndihemi kur jemi para vendimit për të blerë një shtëpi. Ti do blesh vetëm një dhe përballë ke ose qindra e mijëra mundësi ose asnjë që ta mbush syrin. Për të mos folur pastaj për mes mijëra dhjetëra legjenda urbane që të tmerrojnë e që lidhen me historinë e atij që e kishte shitur 2 herë apartamentin, apo të atij tjetrit që ia mori banka, apo të një tjetri që e bleu për 100 m2 dhe përfundoi me 80…e sa e sa historira të pakëndshme që të bëjnë të stepesh sa herë mendon ta hedhësh atë hap. Si fillim, siç dihet do pyesësh shokë, miq e kushërinj që kanë blerë diçka të ngjashme më parë, po ku e dinë ata çfarë të të thonë…ata vetëm një herë kanë blerë një shtëpi, kohë më parë…!

Qetësohu dhe lexo me kujdes. Se çfarë duhet të dish para se të investosh paratë e tua, mund të ta them unë si dhe çdo agjent i përgatitur dhe me eksperiencë.

Së pari, dhe më e rëndësishmja ndër të gjitha, ulu me familjen tënde, bëj llogaritë më laps në dorë dhe vlerëso paratë që ke në xhep, kupto mundësitë e tua reale, jo ëndrrat, as dëshirat, vetëm ato që realisht i ke në dispozicion, sepse vetëdija në lidhje me buxhetin është hapi i parë më i rëndësishëm që do të të lehtësojë gjithë të tjerët.

Së dyti, sot, në morinë e pronave të listuara nëpër agjensitë e ndryshme imobiliare, ke mundësinë të mësosh gjithçka për tregun, për çmimet, për cilësinë e ndërtimit, thjesht duke konsultuar faqet web ku ne listojmë pronat në portofolin tonë. Është i hapur, pa pagesë dhe i lehtë për t’u përdorur. Mjafton të zgjidhësh zonën, hapësirën e çmimit ku mund të luhatesh, numrin e dhomave dhe sipërfaqen, dhe ja ku shfaqen para teje dhjetëra e dhjetëra fotografi, me ngjyra, disa të bëra bukur, disa që nuk të tërheqin fare…në këtë rast, mbaj parasysh që fotoja në pjesën më të madhe të rasteve, e prezanton pronën më keq nga sa ajo është në të vërtetë.

Së treti, po aq e rëndësishme sa e para, kthjello idetë, duke detajuar sa më shumë të jetë e mundur kërkesat e tua. Prano me veten që asnjëherë nuk do të gjesh 100% të asaj që po kërkon dhe që kompromisi dhe logjika e ftohtë do të të ndihmojë të arrish më të mirën.

Po si mund të jesh ti gjakftohtë e objektiv kur gjithçka ke, apo edhe ato që nuk ke e do t’i marrësh borxh për t’i shlyer në 20 vitet e ardhshme të jetës tënde, po i hedh në këtë investim? Jo, sigurisht që je i trembur e konfuz…por unë nuk jam. Unë flas me 2-3 si ti në ditë dhe e di mirë se çfarë ju shqetëson. Çdo blerës, me gjithë ndryshimet që rrjedhin nga individualiteti i gjithsecilit, paraqet të njëjtat “simptoma”: djersitje, pasiguri, mosbesim dhe teorinë “më mirë di ta bëj vetë”. Më besoni, më mirë dimë ta bëjmë ne. Shikojmë shumë blerës, shikojmë shumë prona, dimë me sa janë shitur së fundmi, dimë të dallojmë me shikim të parë të mirat dhe të këqijat e çdo prone dhe t’ju ruajmë nga gabimet.

Prandaj, këshilla ime e katërt, zgjidh agjentin tënd dhe besoji njohurive të tij dhe eksperiencës në treg. Nëse nuk njeh asnjë e puna nuk të ka lidhur më parë me ta, merr referenca nga miqtë ose thjesht besoji intuitës dhe vendosni të punosh me atë që të ngjan më shumë.

Nga ky çast, fillon procesi i vërtetë i blerjes. Ndihmoje agjentin të jetë sa më i saktë në propozimet e tij, duke i ofruar listën e detajuar të nevojave të tua dhe mbi të gjitha duke i folur për buxhetin e blerjes. E di, se sa para ke në xhep është vetëm puna jote. Por në këtë moment bëhet edhe puna jonë, pasi duhet t’ju njohim mirë që t’ju shërbejmë akoma më mirë. Kështu pra, fillon kërkimi, përzgjedhja e një numri pronash interesante për ty! Kujtoni gjithmonë prioritetin dhe qëndroji besnik listës tënde, mos u shpërnda nëpër zona, mos hiq dorë nga ajo pjesë e pronës që është shumë e rëndësishme për ty.

Vizito nga afër të paktën 5-7 prona… nëse lista është e plotë dhe e detajuar dhe nëse agjenti e bën mirë punën e tij, janë të mjaftueshme që ti të kesh mundësinë të zgjedhësh. Mos u çorodit duke vizituar me dhjetëra shtëpi, asnjë prej tyre nuk do të ketë 100% të asaj që ti keni në mendje, por ama besoji ndjesisë tënde të parë në momentin që hyn në secilën prej tyre. Ndjesia e parë flet për energjinë që ti percepton aty brenda e që do të të shoqërojë gjatë gjithë kohës që do të jetosh aty, flet për lidhjen e menjëhershme që ti po krijon me të. Vëria veshin ndjesive dhe zërit tënd të brendshëm, dëgjoje ndërsa të flet vazhdimisht në vesh dhe mbaje parasysh kur të marrësh vendimin.

Vendimi!!! Hapi më i rëndësishëm i të gjithë procesit është bindja e vetes, familjes, nganjëherë edhe miqve e kushërinjve që vijnë të të japin mendim, që ajo është shtëpia e duhur për ty. Mbaj mend, ato mure do të mbushen me kujtimet e jetës tënde e të askujt tjetër!!

Keni negociuar çmimin, kushtet e pagesës, çfarë përfshihet në çmim, si është çështja e taksave, etj. Agjenti yt ka mbajtur barrën kryesore të kësaj faze, duke punuar për ty edhe kur ti shijon fundjavën apo kur shkon në punë. Detyra e tij është të arrijë marrëveshjen më të mirë për ty dhe mbi të gjitha të jetë transparent, të të vërë në dijeni për të gjitha hapat që po ndjek. Vendimet, të vogla apo të mëdha, i merr vetëm ti!!!

Në këtë pikë, agjenti duhet të ketë në dispozicion dosjen me dokumentacionin e pronës së zgjedhur. Merr një kopje dhe së bashku me të bëj takimin e parë me noterin. Kërko përditësimin e kartelës së pronësisë dhe bëhu gati për transaksionin.

Noteri harton kontratën e shitblerjes ku reflektohen të gjitha kushtet që agjenti ka ndërmjetësuar e rënë dakord për ty. Ditën e firmosjes duhet të kesh me vete një dokument identifikimi dhe të kërkosh që shitësi të ketë sjellë kopjen origjinale të dokumentacionit të pronësisë, dokumentat e tij të identitetit (kujtoni që, nëse është më shumë se një pronar, të gjithë duhet të sjellin dokumentacionin e kërkuar), si dhe një çertifikatë familjare ku tregohet statusi i shitësit (sipas ligjit shqiptar, nëse shitësi është i martuar, miratimin për shitjen duhet ta japë edhe bashkëshorti/bashkëshortja, edhe kur ky i fundit nuk rezulton në titullin e pronësisë). Kërko gjithashtu të të provohet nëpërmjet dorëzimit të librezave të energjisë elektrike dhe ujit, që nuk ka detyrime të prapambetura, të cilat mund të të mbarten juve, pas kalimit të pronësisë.

Kërkoji agjentit të të bëjë një foto ndërkohë që po firmos kontratën! Ky është një moment historik për familjen tënde dhe e meriton të mbetet në albumin tuaj fotografik.

Me kontratën në dorë, shko në bankë dhe bëj transfertën e shumës në llogarinë escrow të noterit. Ligji të mbron, duke i mbajtur paratë e tua pezull, në llogarinë e një përfaqësuesi të ligjit siç është noteri, derisa apartamenti të kalojë plotësisht në emrin tënd dhe çertifikata e re e pronësisë të jetë lëshuar nga zyra e Hipotekës. Vetëm atëherë, ti je bërë plotësisht pronar dhe vetëm atëherë oteri ka të drejtën të transferojë paratë në llogarinë e shitësit.

Tani je bërë me shtëpi…! Ta gëzoni e jetofshi kujtime të bukura!

Për informacion më të detajuar kliko www.thepoint.al