• Shqip
  • English
  • E diel, 21 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Në rresht të parë Te gjitha TIP top

    Ti që pëlqen të nusërosh ndryshe nga të tjerat, prit 2020-ën


    Që fustanet e nusërisë kanë modën, tendencat dhe sezonet e tyre, kjo tashmë është histori e vjetër. Po ç’mund të shpiket më shumë sa është shpikur për fustanin e bardhë? Ja që paska aq shumë hapësirë në veç një fustan, sepse për sa kohë do ketë nuse, ëndrrat do derdhen përherë mbi të bardhën e fustanit, e bashkë me to edhe shijet, po aq të ndryshme sa edhe vajzat që nusërojnë secila siç i pëlqen. Në 2020-ën gjithë prozhektorët do ndriçojnë mbi nusen e pazakontë, atë që nuk i do rregullat, kornizat, të zakonshmen, por ama e do të bardhën.

    Ajo që vura re në pesë prodhues të fuqishëm veshjesh nusërie që vizitova këtë fillim janar, ishte jo e zakonshmja. Eksperimentet në ngjyra e materiale në koleksionet e Preview 2020 na paralajmërojnë që nusja e 2020-ës do të jetë jokonvencionale.

    Sigurisht që dasmat perëndimore Vip që lamë pas në 2018-ën, si ajo e blogeres Chiara Ferragni me Fedez, nuk mund të mos ndikonte prodhuesit për t’u frymëzuar nga ç’ka Dior realizoi për Chiarën.

    Një veshje nusërie jo e zakontë, një jumpswit i dukshëm nën fustan, i prodhuar në makrame (dantellë e trashë si e thurur me grep). Ky model “dy në një” është ideal jo vetëm për ceremoninë por dhe për festën më pas. Mjafton të heqësh bishtin dhe ke një jumpswit me të cilin mund të kërcesh lirisht deri në orët e para të mëngjesitJ. Këtë model të Anteprima 2020 mund ta gjeni tek Geraldina duke filluar nga muaji maj.

    Por për fatin tonë të mirë ky bust nuk është propozuar në dantellë makrame. Nëse do të ishte kështu, vajzat shqiptare do ta refuzonin menjëherë. Këtë refuzim në fakt e kanë vetëm kur bëhet fjalë për dantellën macramé në fustanin e nusërisë, se nëse i referohemi të njëjtës macramé të përdorur në veshjet e mbrëmjes apo përditshmërinë ku fillimisht na e solli prezent Dolce&Gabbana, në to vajzat patën një qasje pozitive.

    Makrameja është dantellë e punuar trashë, që të kujton punimet me grep të gjysheve. Dhe kur flitet për vintage, nuset shqiptare e admirojnë, por nuk e zgjedhin thuajse asnjëherë.

    Një tjetër linjë do të mbizotërojë në koleksionet e 2020-ës. Nuk mund të mos ishin ndikuar prodhuesit nga dasma mbretërore, fustani i dukeshës angleze Meghan Markle, i prodhuar enkas nga GIVENCHY ishte klasik, tradicional dhe shumë i thjeshtë.

    Edhe pse duhet thënë që fustanet në material të plotë, pa dantella dhe qëndisje (të quajtura ndryshe linja të pastra) nuk i kanë munguar kurrë koleksioneve. Ka pasur gjithmonë fustane të tillë, me dekolte të mbyllur, të hapur, me mëngë të gjatë ose treçerekëshe, me siluetë në formën e A-së.

    Edhe në koleksionet e 2019-ës ka mjaftueshëm modele që të kujtojnë dasmën mbretërore (modelet e mësipërme i gjeni momentalisht te Geraldina). Por jam e bindur që në blerjet e 2020-ës ne të sektorit do t’i zgjedhim pa hezitim, me shpresën që nuset e ardhshme do të jenë ndikuar sadopak nga thjeshtësia e Meghan-it.

    Për t’iu kthyer nuses jo të zakonshme, propozimet për 2020-ën ishin të shumta. Duke pasur parasysh se në perëndim numri i martesave civile është rritur (krahasimisht me numrin e martesave të shoqëruara me ceremoninë në kishë pasuar nga festat me shumë të ftuar), në koleksionet e 2020-ës prezenca e jumpsuiteve, kostumeve xhaketë e pantallona dhe fustaneve me një gjatësi longete binte ndjeshëm në sy.

    Duke konsideruar që dhe tek ne celebrimi në tarracën e Bashkisë së Tiranës është kthyer në trend, nuk hezitova që në përzgjedhjet e mia të 2020-ës të ishin dhe këto modele, të cilët pas muajit maj i gjeni te Geraldina.

    Lexohemi së shpejti për të ndarë me ju projektin tim më të ri. Jam e sigurt që do t’ju pëlqejë :).