Art dhe Kulturë

Ti, përdhunues me uniformë, unë nuk jam një armë lufte!

Ti, përdhunues me uniformë, unë nuk jam një armë lufte!

“Isha aty, bashkë me të tjerët. Na mblodhën në oborrin e shkollës sonë. Një nga ushtarët, shefi, dha urdhër që gratë të ndaheshin nga burrat. Papritmas, ai drejtoi gishtin drejt meje. Nëna ime menjëherë bëri një hap përpara. Ai iu afrua, e pa, e fyeu, e goditi dhe pastaj e urdhëroi që të zhvishej. Ajo nuk reagoi. Ai nxori armën dhe ma vuri mua në ballë. Nëna ime nxitoi të zhvishej. Pashë, para të gjithë fshatit, për herë të parë, trupin e zhveshur të nënës sime. Pastaj ai bërtiti për nga njerëzit e fshatit tonë dhe në gjuhën e tij kërkoi: "Vëllai i kësaj kurve të dalë nga radhët". Unë ndjeja ende armën e tij në ballin tim. Daja im hezitoi. Pastaj ai erdhi dhe qëndroi para nënës sime: “Zhvishu dhe shk...”.

Kjo është historia e Doruntinës, një vajzë jo më shumë se 12 vjeç, që u përdhunua në mes të fshatit në sy të prindërve dhe motrës dhe vëllait nga usharët serbë gjatë luftës së Kosovës. Ai që e tregon historinë është pikërisht i vëllai, ca kohë më vonë, gjatë një seance intervistimi në një nga institucionet shtetërore të Belgjikës, ndërsa ka ardhur nga Kosova si azilkërkues. Përkthyesja e seancës, Anila Dervishi, ka dëgjuar këtë e dhjetëra tmerre të tjera gjatë viteve që ka punuar si përkthyese e azilkërkuesve të shqiptarëve të Kosovës. Por ja që profesioni i saj i vërtetë është aktore dhe histori të tilla makabre i dëgjon edhe me një vesh tjetër, atë të artistes. Rrëfime që mblidhen e mblidhen e që kërkojnë me doemos të shpërthejnë. Artistikisht! Dhe kjo ndodhi kur tre shqiptarë që jetojnë në Bruksel prej shumë vitesh, Anila Dervishi, Zenel Laçi dhe Safet Kryemadhi, vendosën t’ia bërtasin botës në fytyrë tmerret e luftës së Kosovës. Ato që kishte dëgjuar Anila e ato që ka rrëfyer e denoncuar aktivistja kosovare Sevdie Ahmeti në librin “Ditari i një gruaje kosovare” morën formën e një shfaqjeje nën titullin “Je ne suis pas une arme de guerre”- Unë nuk jam një armë lufte, përshtatur nga Safet Kryemadhi, që fundjavën e kaluar mblodhi publikun belg në Bourask festival.

[caption id="attachment_345002" align="aligncenter" width="2362"] Aktorja Anila Dervishi në "Unë nuk jam një armë lufte"-sipas librit të Sevdie Ahmetit -Regjia dhe skenografia Zenel Laçi -Përshtatja në frëngjisht nga Safet Kryemadhi -Foto: Julian Hills -Ndriçimi: Etienne Delronche[/caption]

Regjisori dhe skenografi Zenel Laçi ka bërë një gjetje fantastike teatrale. Në skenë, vetëm një grua e zbathur, me fustan të bardhë e flokë të lëshuara mbi supe – aktorja Anila Dervishi – që rrëfen tmerret e grave të përdorura si fushë beteje gjatë luftës në Kosovë, dhe një kitarist – Afrim Jahja - që me ndërhyrjen e tij muzikore dhe ndërthurjen me zërin e aktores, i jep frymëmarrjen shfaqjes. Përndryshe, nëse ata tinguj nuk do shpërndaheshin nëpër sallë, e gjitha do ishte një tronditje e madhe. Si të mos jetë! Ku ta gjesh forcën të imagjinosh se ç’kanë provuar ato gra që janë përdhunuar kafshërisht, u janë vrarë fëmijët, u janë masakruar djemtë, prindërit, vëllezërit. Dhe nëse imagjinata nuk arrin dot në nerva aq të hollë, interpretimi i Anilës në skenë të çon aty e ca më përtej.

[caption id="attachment_345003" align="aligncenter" width="3543"] Afrim Jahja[/caption]

Anila të mbërthen, të tmerron, të magjeps, të sjell ndër këmbë njëra pas tjetrës gratë që iu kanë parë sytë lemeri, veç me një fustan të bardhë, me zërin dhe trupin e saj, që të vjen çudi se si arrin të flasë aq shumë dhe lind aty në mes të skenës disa herë. Lind si Doruntina e përdhunuar në mes të fshatit para syve të të gjithëve. Pastaj bëhet nëna e Albanës, një vajzë 6-vjeçare që natën e Krishtlindjeve, teksa po luante në shtëpinë e saj, një plumb e merr mu në ballë. Lind si Besarta Jashari, e mbijetuara e vetme e masakrës së familjes së Adem Jasharit: “Jam në këmbë në një varrezë. Kjo varrezë është shtëpia ime. Kam dëshirën e dhimbshme të shtrihem midis trupave të tyre. Ndjej flokët e nënës. Ia përkëdhel dhe ndihem e lumtur. Ulem në gjunjë dhe në këtë mish-mash trupash dëgjoj këngën e babait. Ushtarët kanë shkatërruar gjithçka. Jo vetëm trupat. 55 familjarë të mi u masakruan. Jam e vetmja që mbijetoj…”.

Të mbijetuara janë të gjitha. Por të abuzuara, të poshtëruara e mbi të gjitha të padëgjuara. “Ditari i një gruaje kosovare” është ndër të vetmit që u dha zë rrëfimeve të paimagjinueshme të grave që lufta ua ktheu trupin në armë, por në atë skenë e në atë shfaqje mesazhi është universal dhe i kalon makabritetet e luftës së Kosovës. Asnjë kontinent nuk është kursyer e aq më pak një grua. Kudo ku ka shkelur lufta, njëra këmbë është vendosur dhunshëm përherë mbi trupin e  një gruaje, fushëbeteja e parë dhe më e dhimbshmja. Ama, ku dhuna ka shkuar në palcë, prej saj del edhe forca për t’ia rrëfyer gjithë botës, edhe pse me zë fare të ulët, pa u qurravitur, me dinjitet e kokën lart. Me koreografinë e trupit të Anilës u tha në skenën e Bourast Festival “Unë nuk jam një armë lufte”. Këto gra kanë ende një jetë për të jetuar. Duhet të pranohen, ngushëllohen, forcohen.

Në fund të shfaqjes, protagonistja lan me ujë të pastër njollat e gjakut të përhapura nëpër skenë, ashtu siç viktimat mbledhin copërat e fuqive e kërkojnë të vazhdojnë sërish jetën. Serenata korçare “O vemi o s’vemi” tingëlloka bukur në frëngjisht dhe shfaqja mbyllet me tinguj të ëmbël. Mesazhi i përbotshëm se urrejta nuk të çon askund qetëson në sallë gjithë tensionin që shkakton ajo shfaqje aq e vërtetë, ku fiksioni nuk hyn fare. Në fund të së gjithave jeta vazhdon. Dhe kur vazhdon për ato gra që kanë parë lemeri me sy, për ne të tjerët po se po/Klaudeta Skënderasi - tiranapost.al