Ta thotë doktoreshë Silva

T’i kanë “bërë” buzët keq? Le t’i korrigjojmë kështu

T’i kanë “bërë” buzët keq? Le t’i

Nga Dr.Silvana Mishtaku/Në praktikën e përditshme ndodh shpesh të më shkruajnë vajza që kanë bërë buzët (në vende të tjera) por nuk ju pëlqen rezultati, dhe duan t’i korrigjojnë. A është i mundshëm korrigjimi? Cfarë është e rëndësishme të dijmë për këtë proces?

Së pari duhet të dimë materialin e përdorur për të rritur volumin e buzëve. Në dekadën e shkuar (vazhdon edhe në ditët e sotme, por fatmirësisht shumë më rrallë) injektohej direkt në buzë material si silikoni i lëngshëm apo metakrilani, efekti i të cilit zgjat në vite… Mundësia e korrigjimit dhe shkrirjes të materialeve të tilla është shumë e vogël dhe për shkak të reagimeve nga më të ndryshmet, vështirë të gjeni mjekë t’i korrigjojnë (aplikimi i teknikave korrigjuese mund të ketë efekt përkeqësues).

Ekziston mundësia e heqjes kirurgjikale, por ajo që duhet të dini është së asnjëherë nuk mund të hiqet vetëm silikoni; për të reduktuar volumin bashkë me silikonin hiqet edhe ind i vet buzës, dhe cikatricja (shenja e qepjes pas kirurgjisë) mund të reagojë në mënyrë të pazakontë e të deformojë buzën. Ndërkohë ekzistojnë lazera, që mund të ndihmojnë, por të dhënat e tyre janë të pacertifikuara…

Në qoftëse materiali i përdorur është acid hialuronik (siç ndodh më shpesh në ditët e sotme), korrigjimi është plotësisht i mundur, pasi për këtë material ekziston lënda shkrirëse e quajtur hialuronidazë. Vetëm se duhet të bëni pak durim… Nqs i keni bërë një ose disa ditë më parë, është normale të keni buzë më të fryra, për shkak të edemës (enjtjes nga shpimet), teknikës dhe sasisë së acidit hialuronik të injektuar.

Në këto raste është e rëndësishme të prisni rreth 1-2 javë për të vlerësuar, nëse filleri (acidi hialuronik) qëndron mirë ose jo në buzë. Vetëm pas kësaj periudhe mund të kërkoni korrigjim. Korrigjimi konsiston në shkrirje të acidit hialuronik, ose shtim, për të rregulluar asimetrinë e mundshme, raportet apo formën e buzëve. Edhe në rast të acidit hialuronik duhet të dini llojin e injektuar, pasi ekzistojnë shumë formula, të cilat ndyshojnë nga densiteti dhe karakteristika të tjera. Kujdes, në rast se pas procedurës paraqisni nxirje masive të buzës dhe lëkurës përreth tyre, skuqje apo dhimbje kontaktoni menjëherë mjekun profesionist.

*Autorja Dr.Silvana Mishtaku është dermatologe-venereologe, Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram : silvanamishtaku