Aktualitet

Thirrja urgjente e Gjergj Bojaxhiut nga dera e KQZ-së

“Sfida për Shqipërinë” kërkon largimin e kandidatëve të inkriminuar, që janë gjetur në listat e partive për zgjedhjet e 18 Qershorit.

Thirrja është bërë sot nga kreu i “Sfidës” Gjergj Bojaxhiu, nga dera e KQZ-së. Bojaxhiu theksoi domosdoshmërinë për t’i dhënë fund historisë së parlamentit me persona të dënuar.

Për “Sfidën”, janë plot 27 kandidatë për deputetë, të dënuar më parë me vendim gjykate, të cilët jo vetëm që nuk largohen nga partitë respektive, por madje ata e kanë pranuar edhe në formularin e vetëdeklarimit, të shkuarën e tyre kriminale.

“Ne në parlament duhet të dërgojmë qytetarin model. Politika nuk bazohet vetëm mbi ligjin por edhe mbi moralin para qyetatarëve. Partitë tradicionale duan të na sjellin në parlamentin e ri akoma individe të dënuar për kontrabandë, korrupsion, dhunë apo vepra të tjera penale.

Kemi jo pak por 27 kandidatë të dënuar me vendim gjykate. Një pjesë e kandidatëve madje kanë shkruar në formularin e kandidimit që janë të dënuar dhe sërish partitë politike kanë preferuar ti vendosin në listat e tyre si parlamentarët e ardhshëm. Është një turp për partitë politike që nuk i kanë tërhequr tashmë kandidatët, madje kanë futur kokën si struci në rërë përballë kandidatëve të dënuar.

Kjo është pasojë e zgjedhjeve të kandidatëve nga kryetari i partisë që cakton për intersa elektorale se cilin “të fortë” do të vendosë në lista për ca vota më tepër. Ftojmë të gjithë partitë politike që të tërheqin këta kandidate duke i zevëndësuar më individë që përfaqësojnë qytetarin model si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana intelektuale. Ne nuk mund të kemi më një parlament të fortësh apo dhunuesish të ligjit. Kjo politikë duhet të marrë fundit.” tha Bojaxhi

Partia e Gjergj Bojaxhiut, është regjistruar për zgjedhjet e 18 Qershorit, të cilat do të jenë testi i parë sa i përket zgjedhjeve parlamentare për këtë parti. E.C/Tiranapost.al